Grabitet me armë zyra e Postës Shqiptare
TIRANE - Persona të armatosur grabitën dje në mes të ditës filialin e Postës Shqiptare që ndodhet tek zona e "Bërrylit" në kryeqytet. Grabitësit kanë arritur nën kërcënimin e armëve të vjedhin rreth 3 milionë lekë të vjetra, para të arkëtuara brenda ditës nga faturat e energjisë elektrike. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, tek rruga "Bardhyl" dhe të pranishëm në filialin e postës kanë qenë arkëtarja, financierja dhe 3 persona që paguanin faturat e energjisë elektrike. Tre persona, të moshave 20-25 vjeç, kanë organizuar grabitjen e parave dhe më pas janë larguar me shpejtësi, duke mos u identifikuar ende nga policia. Sipas dëshmive të personave që kanë qenë të pranishëm, mësohet se djemtë nuk ishin të maskuar, por dy prej tyre kishin në dorë pistoleta. Dy prej tyre janë futur me nxitim në ambientin e brendshëm, njëri është drejtuar tek arka, tjetri ka qëndruar tek dera e jashtme, ndërsa personi i tretë, i pa armatosur ka qëndruar në trotuarin para filialit, duke kontrolluar situatën jashtë. Arkëtarja që i ka dorëzuar paratë e grumbulluara nga pagesat e faturave të energjisë, ka shpjeguar për oficerët e policisë të gjithë skemën e ngjarjes, duke dhënë shpjegime për dy nga autorët, ndërsa për personin që ka qëndruar jashtë nuk ka arritur të fiksojë ndonjë detaj. Burime nga policia thanë se njëri nga djemtë i ka drejtuar armën gruas që ishte në sportel, duke e urdhëruar që t'i fuste të gjitha paratë në çantën që mbante me vete, përndryshe do ta qëllonte me pistoletë. E frikësuar punonjësja e postës ka nxjerrë me shpejtësi paratë nga kasa, duke i futur në çantë dhe pas kësaj duke e mbajtur sërish armën drejt saj dhe personave të tjerë, i riu është larguar, bashkë me dy personat e tjerë që e shoqëronin. Sipas dëshmitarëve mësohet se grabitësit janë larguar në rrugicat përreth filialit të Postës Shqiptare, ngjitur me një lokal nate që ndodhet përballë saj. Policia ka sekuestruar kasetat e kamerave të sigurisë të lokalit përballë filialit të grabitur, në mënyrë që të zbardhë pamjet filmike, duke qenë se ishin të vetmet kamera në atë zonë. Sipas dëshmive autorët e ngjarjes kanë lëvizur në këmbë, por dyshohet se dikush mund t'i ketë pritur në rrugicën nga u drejtuan me ndonjë automjet, për t'i larguar nga vendngjarja. Deri dje në mbrëmje policia nuk kishte arritur ende identifikimin e autorëve të ngjarjes ndërsa burimet zyrtare thanë se po punohej për zbardhjen e saj. e.d.