Roja i shkollës denoncon në polici të riun: Shet hashash për nxënësit
TIRANE - Një 18-vjeçar është ndaluar dje nga agjentët e Antidrogës në policinë e kryeqytetit, pasi është kapur duke shitur bimë narkotike në rrugicat pranë një shkolle 9-vjeçare. Burime nga policia thanë se është ndaluar dhe po hetohet në gjendje të lirë me akuzën e "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike", shtetasi Anxhelo Xhako, banues në Tiranë. Sipas policisë, adoleshenti është kapur në flagrancë, pranë shkollës "11 Janari" në rrugën "Sami Frashëri", rreth orës 13:30, në kohën kur nxënësit kishim mbaruar mësimin dhe dilnin nga shkolla. Të njëjtat burime sqaruan se fillimisht 18-vjeçari Xhako është vënë re nga polici roje i shkollës, i cili pasi ka parë veprimet e tij të dyshimta, ka lajmëruar menjëherë kolegët e Komisariatit Nr.2. Në drejtim të shkollës 9-vjeçare janë nisur efektivat e komisariatit, të cilët kanë sinjalizuar edhe oficerët e Seksionit Kundër Lëndëve Narkotike. Adoleshenti ka "nuhatur" lëvizjet e dyshimta dhe shtimin e forcave të policisë dhe ka hedhur në tokë qesen me bimë narkotike që mbante në xhepin e pantallonave, ndërsa vetë është munduar të largohet me shpejtësi në drejtim të stadiumit "Dinamo". Efektivat e policisë kanë marrë qesen me kanabis dhe janë vënë në ndjekje të djalit që po largohej me shpejtësi. Arratia e tij ka zgjatur vetëm disa metra dhe është ndaluar nga policia. Mësohet se Anxhelo Xhako është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe ka pranuar që qesja me 1.4 gramë bimë narkotike, kanabis sativa, ishte e tij, por ai e ka hedhur në tokë nga frika. Por sipas deklarimeve të 18-vjeçarit, mësohet se ai ka thënë që është përdorues, por nuk merrej me shitje droge. Deklarimet e tij, por edhe sasia e vogël e drogës ia kanë lehtësuar disi pozitat penale dhe është vendosur që të hetohet në gjendje të lirë, me akuzën e "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Grupi i hetimit tha se ka dërguar për ekspertim qesen me lëndë narkotike me qëllim verifikimin e shenjave të gishtave të lëna në sipërfaqen e saj. shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike në shkolla mbetet një problem për policinë dhe komunitetin e kryeqytetit. Në disa aksione është arritur të arrestohen grupe personash që kryenin aktivitet përreth shkollave ku "joshnin" nxënësit me "çmimin e lirë" të hashashit. Për këtë shkak policia e kryeqytetit ka organizuar shërbimet e saj në afërsi të shkollave me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale përfshi edhe shitjen e drogës. e.d