Ekspertët: Kufomave do u bëhet identikiti
Ekzaminohen edhe dy skelete të seksit mashkull. Fillon analiza e plotë antropologjike
Identifikimi i kufomave të vrara mund të bëhet vetëm nëpërmjet ndërtimit të identikitit. Analiza e plotë antropologjike, e cila mund të sjellë një sërë detajesh të tjera, do të lehtësojë punën për identifikimin e tyre. Kështu janë shprehur burimet zyrtare të mjekësisë ligjore, që ditën e djeshme kanë rindërtuar edhe dy skelete, që u përkasin seksit mashkull. Deri tani, numri total i skeleteve të rindërtuara shkon në 11, ku vetëm një prej tyre është femër.
Gjatë ditës së djeshme ka vazhduar puna për kompletimin e skeleteve, ndërkohë që mendohet që të jenë më shumë se 11 trupa që janë zbuluar deri më tani. Burimet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, kanë bërë të ditur se skeletet e zbuluar kanë vlera identifikuese. Sipas tyre, me ndërtimin e skeleteve do të ketë më shumë mundësi për identifikimin e tyre. Identifikimi do të bëhet në bazë të të dhënave skeletike me metodën e antropologjisë mjekoligjore. Pikërisht me anë të kësaj metode pretendohet që të bëhet një identifikim i skeleteve, për t’u vënë dhe një emër, me qëllim që të njihen dhe nga familjarët e tyre e t’i varrosin sipas riteve.
Nga analiza antropologjike do të saktësohen shumë të dhëna. Ekspertët e mjekësisë ligjore shpjegojnë se verifikimi i këtyre vlerave identifikuese nis që me pastrimin e eshtrave. Fillimisht, eshtrat pastrohen nga gjithë pjesët e mbetura në to, ku janë të përziera me dhera. Këto kampione dërgohen për analiza për të zbuluar nëse në brendësi të tyre ka edhe substanca të tjera.
Specialistët shpjegojnë se zakonisht në dherat përreth skeleteve gjenden dhe vlerësohen mbetje që mund të kenë ardhur nga kalbëzimi i objekteve të ndryshme. Zakonisht, këta persona, qoftë ata të vrarë apo të vdekur nga shkaqe të tjera, kur janë varrosur, kanë pasur orë, unaza, rripe apo sende të tjera me vete. Gjithashtu, këto mbetje analizohen dhe ekspertët nxjerrin përfundimet se një kufome të tillë mund t’i përkasin këto sende personale. Gjithashtu, edhe në veshjet që mund të kenë pasur, sidomos me kopsat, mund të rezultojë ndonjë e dhënë për identifikimin e tyre.
Por, këto nuk janë shenjat e vetme të studimit për identifikimin e këtyre kufomave. Gjithashtu, mjekësia ligjore do të studiojë edhe shenjat që mbeten në kocka. Sipas ekspertëve, shenja të tilla mund të jenë dhëmbët. Ata shpjegojnë se nëse një person i caktuar ka pasur një dhëmb të hequr, një kockë të thyer, apo probleme të tjera skeletore, atëherë kjo mund të ndihmojë në identifikimin e tij. Megjithatë, për të kryer gjithë këto krahasime, policisë i është lënë detyrë të marrë në pyetje personat e interesuar për këto skelete, që mendojnë se mund të jenë të afërmit e tyre, me qëllim që të japin edhe detaje të tilla mbi ta. Procesi i marrjes në pyetje pritet të fillojë ditët e ardhshme, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe mundësia e ndërtimit të identikiteve.
Kështu, burimet nga mjekësia ligjore bëjnë të ditur se pas rindërtimit të skeleteve, që deri dje janë bërë vetëm 11 prej tyre, do të fillojë edhe ndërtimi i identikiteve. Megjithatë, në këtë gjendje mund të arrihet përafërsisht vetëm 60% e përshkrimit të kufomës. Momentalisht, nga eshtrat e gjetura edhe ditën e sotme do të vijojë ndërtimi i skeleteve, me qëllim që sa më parë të jepet numri i saktë i kufomave të gjetura dhe nëse do ketë nevojë për të kërkuar kufoma të tjera në atë zonë.
Koha e vrasjes së gjithë kufomave të ekzaminuara deri tani rezulton rreth 30 vjet më parë. Burimet nga grupi hetimor dhe ekspertët e mjekësisë ligjore shpjegojnë se ende nuk mund të jepet numri i saktë i femrave të vrara, por kjo mund të vërtetohet lehtë brenda pak ditësh. Eshtrat u gjetën disa ditë më parë në një fshat në malin e Dajtit, nga një person i cili po kërkonte për babanë e tij të vrarë në vitet e komunizmit. E rastësisht ai ka gjetur një varr masiv, ku mendohet të jenë më shumë se 19 kufoma.
#