E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani: Të ngrihet komision për vendvarrimet e komunizmit

Deklarata

“Varri masiv 313” ka vënë në lëvizje avokatin e Popullit, Ermir Dobjani, i cili përgjatë viteve ka hetuar për gjetjen e vendvarrimeve. Megjithatë, në fund është dorëzuar, pasi shumë nga ish-zyrtarët e lartë gjatë komunizmit, apo personat që kanë marrë pjesë në pushkatimet masive, nuk i kanë treguar vendvarrimet. Dobjani ka deklaruar dje se shoqatat e ish të përndjekurve politikë janë ankuar në zyrën e tij, duke pohuar se në Prokurorinë e Përgjithshme, në gjykatat e të gjitha niveleve e atë Kushtetuese, dhe deri te vetë Avokati i Popullit, punojnë si gjyqtarë, prokurorë, si dhe zyrtarë të lartë persona që kanë marrë pjesë aktive në arrestimin, hetimin, torturimin, gjykimin, dënimin dhe ekzekutimin e të dënuarve me vdekje gjatë regjimit komunist. Shoqatat e të burgosurve politikë pretendonin se institucionet shtetërore si, Sektori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme dhe institucione të tjera, nuk japin dokumentet, informacionet dhe të dhënat e nevojshme për të gjetur vendvarrosjen dhe kufomat e të pushkatuarve me gjyq apo pa gjyq gjatë regjimit komunist. Një ndër arsyet e mosdhënies së informacionit lidhur me këtë çështje nga institucionet që administrojnë dokumentacionin përkatës është fakti i klasifikimit të këtyre dokumenteve si sekret sipas legjislacionit në fuqi. Pas ankesës, Avokati i Popullit ngriti një grup pune për mbledhjen e dokumentacionit për gjetjen e emrave të personave që kanë marrë pjesë në ekzekutime, duke i siguruar për ruajtjen e anonimatit. Me gjithë verifikimin e disa rasteve në Shkodër e Vlorë, asnjë prej personave konkretë nuk ka dhënë detaje për vendvarrimet, duke e bërë të pamundur zgjidhjen e kësaj çështjeje delikate.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›