Myftinia e Elbasanit: Regjistrimi mbi baza fetare libanizon Shqipërinë
Reagimi
Zyrtari i Komunitetit Mysliman: Etnia dhe feja nuk duhet të përzihen në punë të politikës
Pas kreut të kishës së Shën Mërisë, Atë Nikolla Marku, një tjetër reagim vjen nga klerikët e Elbasanit për regjistrimin e popullsisë mbi baza fetare dhe etnike. Myftinia e Elbasanit ka kërkuar nëpërmjet gazetës “Shqip” të shprehë qëndrimin e saj kundrejt kësaj çështjeje delikate. Përfaqësuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare e shoqatave joqeveritare, si dhe anëtar i Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Ben Ramkja, tha dje se regjistrimi mbi baza fetare do ta “libanizonte” Shqipërinë.
“Ne nuk kemi reaguar deri tani, sepse kemi ndjekur me vëmendje ecurinë e procesit, por mendoj se ka ardhur koha të shprehemi publikisht, para se të ndërmarrim hapa të mëtejshëm”, thotë Ramkja. Me hapa të mëtejshëm, përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman nënkupton propagandën kundër këtij regjistrimi. “Brenda tolerancës sonë të admirueshme, do t’u bëjnë të qartë besimtarëve anët negative të këtij procesi dhe në kohën e duhur do të dalim zyrtarisht si Myftini dhe Komunitet Mysliman me deklaratën tonë”, sqaron Ramkja.
Ai thotë më tej se është gjë e mirë që të dimë sa shqiptarë jetojnë brenda kufijve shtetërorë. Por nëse jepet edhe opsioni i regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare, ndryshon problemi. “Ne jemi kundër një regjistrimi me veçori të tilla. Nëse njësohet kombësia me fenë, mendoj se do të prodhohen konflikte fetare e destabilizim në kufijtë ballkanikë. Kur politizimi i fesë bëhet për qëllime nacionale, rrezikon shfaqjen e dukurive të sotme në Bosnje e Hercegovinë e aq më tepër ‘libanizon’ vendin tonë”, thotë zyrtari i Myftinisë së Elbasanit.
Ai sqaron se myslimanët nuk i shqetëson aspak rezultati në shifra i regjistrimit, por pasojat që mund të sjellë mbivlerësimi i përkatësisë fetare dhe etnike në jetën shoqërore. “Ne jemi aq sa jemi si Komunitet Mysliman dhe asnjëherë nuk kemi përdorur kartën e shumicës. Komuniteti Mysliman shqiptar është tolerant dhe mbi të gjitha duhet konsideruar si urë lidhëse në vlerat mes Perëndimit dhe Lindjes. Myslimanët në Shqipëri, historikisht, nuk kanë pasur tendenca anësie, sikurse nuk kanë paragjykime ndaj feve të tjera. Tek e fundit, pohimi i përkatësisë fetare është çështje shpirtërore dhe nuk është e nevojshme të kompjuterizohet në regjistra”, thotë Ben Ramkja.
Në fund, zyrtari i Komunitetit Mysliman thotë se nuk do të ndërmerren hapa të njëanshme nga myslimanët, pa u koordinuar me komunitetet e tjera fetare. “Ato që ngre në këtë prononcim janë paraprake, pasi do matemi mirë përpara se të dalim me një qëndrim zyrtar. Dua të theksoj se interesi ynë kryesor është të mos lejojmë cenimin e vlerave kombëtare”, thotë Ramkja.
#