E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, 11 shoqata kundër regjistrimit

“Tirana t’i vërë kushte Athinës: Ligjin e luftës, tokat e çamëve dhe njohjen e Kosovës”
Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare kundërshtohet nga 11 organizata jofitimprurëse në Rrethin e Vlorës, që përfaqësojnë kryesisht veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Vlorës, Petref Veshaj, doli dje me një deklaratë në emër të 11 shoqatave, ku theksohej se regjistrimi i planifikuar nga qeveria bie ndesh me interesat kombëtare. “Vendimi i qeverisë ‘Berisha’ për regjistrimin e popullsisë mbi bazën e besimit fetar dhe të etnisë, është një tjetër akt në vargun e pafund të shitjes së interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, është akt i turpshëm, i paprecedentë, i papranueshëm që do të dëmtojë rëndë prestigjin e kombit tonë, do të krijojë dhe thellojë dasitë, duke dëmtuar një nga traditat më të shenjta, të admirueshme nga bota mbarë, harmoninë fetare”, thuhet në krye të deklaratës së 11 shoqatave.
Sipas kësaj deklarate, pranimi i kërkesës së qeverisë greke është nënshtrimi i radhës ndaj pretendimit shovinist, që do t’ia lehtësojë realizimin e ëndrrës shekullore për të ashtuquajturin “Vorioepir”, për greqizmin e Shqipërisë së Jugut dhe më tej.
Për veteranët e Vlorës, realizimi sipas projektit të publikuar është një tjetër akt kapitullimi i qeverisë sonë ndaj kërkesave ultimative të ish-kryeministrit grek Micotaqis në vitin 1993, kur Kryeministri i sotëm i Shqipërisë ishte President.
“Po përmendim këtu shitjen e territorit për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në Këlcyrë, lejimin e hapjes së shkollave greke në Korçë dhe Himarë, ngritjen e kishave dhe vendosjen e kryqeve të shumtë në territore, banorët e të cilave nuk janë të besimit ortodoks, me të vetmin pretendim se këto kanë qenë dikur të banuara nga grekët dhe së fundi, dhurimin e 354,4 kilometrave katrorë të hapësirës sonë detare, që Gjykata Kushtetuese e bllokoi etj.”, thuhet në deklaratë.
Më tej thuhet se, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve janë të shumta provokimet që kanë lënduar, prekur sedrën, dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare, ndërsa vihet theksi te Himara, për të cilën sipas 11 shoqatave të Vlorës “vitet e fundit po bëhen lojëra politike, duke vënë në rrezik fqinjësinë e mirë që duhet të ekzistojë pa komplekse midis të dyja vendeve tona”.
Në deklaratë përmendet gjithashtu handikapi i mbajtjes në fuqi i ligjit të luftës nga ana e Greqisë, në një kohë kur të dyja vendet janë anëtare të NATO-s. “Këto janë veprime të turpshme të nxitura nga qarqet antishqiptare dhe kleri ortodoks ekstrem, të cilët nxorën eshtrat e banorëve të Kosinës, duke i tjetërsuar si eshtra të ushtarëve grekë”, tha kreu i veteranëve të Vlorës.
Në fund të deklaratës së 11 shoqatave i bëhet thirrje qeverisë shqiptare, që përpara se të plotësojë ato çka kërkon qeveria greke, të luftojë dhe të këmbëngulë që qeveria e Athinës të heqë ligjin absurd të luftës; t’i kërkojë falje popullit martir të çamërisë për krimet dhe gjenocidin dhe t’i njohë të drejtën e pronës; të njohë pavarësinë e Kosovës si shprehje e vullnetit të fqinjësisë së mirë.
Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë shqiptarëve, që ta bojkotojnë iniciativën e qeverisë për regjistrimin e popullsisë mbi baza të kombësisë dhe besimit fetar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›