E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet në mes të ditës një agjenci e transferimit të parave

Çudia, autorët hynë të pamaskuar e të armatosur dhe morën rreth 1 milion lekë. Polica ndërton identikitin e autorëve pas dëshmisë së punonjëses

Durrës - Një agjenci transporti dhe transferimi parash është bërë pre e grabitjes dje në mëngjes në Durrës. Ora shënonte 10:10 kur dy të rinj të pamaskuar kanë hyrë në agjencinë e transferimit të parave, që ndodhet pranë Stacionit të Trenit në qytetin bregdetar dhe nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar punonjëses së vetme që ndodhej aty dorëzimin e parave.
Njoftimi
Punonjësja, e terrorizuar, ka dorëzuar paratë që ndodheshin në arkë, konkretisht 4100 euro dhe 2300 dollarë, si dhe 12 mijë lekë. Pas largimit të të rinjve me paratë punonjësja ka lajmëruar menjëherë policinë. Efektivët blu, pasi mbërritën në vendngjarje, morën në pyetje punonjësen për të mësuar më shumë informacione rreth pamjes fizike dhe veshjes së dy të rinjve që e grabitën. Nuk ka ende të dyshuar për ngjarjen, por efektivët blu të Durrësit kanë lajmëruar kolegët e tyre në të dalë të qytetit për të identifikuar çdo të dyshimtë që i ngjason përshkrimit që u bëri punonjësja e agjencisë së transferimit të parave.
Rastet
Brenda dy muajve të parë të vitit 2009 kanë ndodhur plot 6 grabitje. Seria e tyre fillon me grabitje e filialit të një banke të njohur në zonën e Laprakës, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur janë futur në bankë dhe nën kërcënimin e armës kanë marrë paratë e sportelit. Më pas grabitjet vijojnë më ngjarjen e Durrësit më 21 janar, ku persona të paidentifikuar i grabitën një kambisti plot 10 mijë euro. Autorët kanë improvizuar një aksident me mjetin e tij dhe vetëm kur janë larguar kambisti ka konstatuar mungesën e valutës.
Në Fier, më 4 shkurt, u grabit agjencie “Union Travel”, që operonte në një linjë udhëtarësh Fier- Athinë, ka bërë denoncimin në rajonin e policisë pasi zyra ku ai punonte është konstatuar prej tij e vjedhur.
Rasti i katërt lidhet me 10 shkurtin e këtij viti, kur në Cërrik u grabitet argjendaria miliona lekëshe. Dy persona dyshohen se janë autorë të grabitjes së argjendarisë dhe dëmi llogaritej në 7 milionë lekë.
Ngjarja më e freskët lidhet me 27 shkurtin, kur në Tiranë, dy persona të armatosur grabitën një pikë “Exchange”, shumë pranë qendrës së kryeqytetit. Grabitësit kanë qëlluar me armë në ajër dhe kanë mundur të largohen me një shumë të konsiderueshme parash, që sipas policisë, kapte shifrën 2.5 milionë lekë. Më 12 mars, një tjetër grabitje ka ndodhur pranë një filiali të Bankës Kombëtare Tregtare në qytetin e Lezhës. Rreth 5 milionë lekë iu grabitën 3 punonjësve të filialit të Postës Shqiptare në Lezhë. Policia ka vënë në pranga një prej autorëve të dyshuar disa ditë më pas.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›