Kapen 50 kg drogë, pranga transportuesve
Gjirokastër - Operacioni i koduar “Rrëshqitja”, i zhvilluar nga policia e Gjirokastrës, vuri në pranga dy persona që po transportonin ngarkesën prej 50 kilogramësh lënde narkotike të llojit Cannabis sativa. Bashkë me sasinë e drogës uniformat blu sekuestruan edhe një automatik kallashnikov dhe një pistoletë tip “TT”. Operacioni i policisë u krye në shpatin e malit të Muzinës, mbi fshatin Grapsh të rrethit Gjirokastër. I arrestuari Izet Boçka u ndalua pranë një përroi teksa po transportonte lëndën narkotike të ngarkuar në dy çanta të mëdha. Sipas policisë, Boçka i kishte marrë çantat pranë varrezave të fshatit Grapsh, në anë të rrugës nacionale Gjirokastër - Kakavijë dhe nëpërmjet shpatit të malit do t’i çonte ato në afërsi të Qafës së Muzinës, në rrugën automobilistike. Më pas lënda narkotike do të transportohej nga shtetasi Fatmir Jashari, nga Saranda, me pseudonim “Drumba”.
Sipas policisë, dy të arrestuarit do të transportonin drogën nga mali për të shmangur postbllokun e policisë të përbërë nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, i cili ishte ngritur në vendin e quajtur Kthesa e fshatit Jorgucat, në aksin rrugor Jorgucat – Muzinë. Pas kontrollit, grupi hetimor konstatoi se droga ishte vendosur në pako të mbështjella me letër natriban. Secila çantë përmbante 25 kilogramë dhe në njërën prej tyre është gjetur edhe arma tip “Kallashnikov”. Gjatë kontrollit fizik që iu bë shtetasit Izet Boçka, iu gjet edhe një amë tjetër zjarri tip pistoletë e markës “TT”, të cilën e mbante në brez.
Grabiten paratë te xhamia “Mbret” në Elbasan
Elbasan – Një sasi e konsiderueshme parash është grabitur sot në xhaminë “Mbret” në qytetin e Elbasanit. Burime të policisë bëjnë të ditur se mëngjesin e djeshëm është konstatuar vjedhja e kasës së xhamisë “Mbret”, e cila ndodhet brenda lagjes “Kala”. Grupi hetimor ka konstatuar se persona ende të paidentifikuar kanë hyrë nga porta kryesore e xhamisë e më pas kanë hapur me mjete të forta derën e brendshme të saj, ku kanë marrë në kasën që ndodhej e hapur brenda xhamisë një shumë të konsiderueshme parash. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
31 Mars 2009