E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiti 85 mijë euro dhe 60 mijë dollarë, arrestohet nga policia

Policia e Fierit ka vënë në pranga njërin prej dy grabitësve, të cilët vodhën 85 mijë euro dhe 60 mijë dollarë para dy ditësh. Në prangat e policisë ka rënë Edmond Avdo, i cili dyshohet si autor i kësaj vjedhjeje. Nga uniformat blu është shpallur në kërkim autori tjetër i kësaj grabitjeje, i cili ka arritur që t’i shpëtojë aksionit të djeshëm të policisë. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se pre e grabitjes ka rënë ish-drejtori i rafinerisë në Fier, shtetasi Ilir Dulla. Grabitësit kanë shfrytëzuar momentin kur në shtëpi nuk ka qenë njeri, për t’u futur dhe për të vjedhur paratë. Pas denoncimit të bërë nga i dëmtuari, policia ka nisur nga puna për kapjen e autorëve. Pas aksionit të ndërmarrë është arritur që të vihet në pranga 41-vjeçari, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij. Hetuesit kanë arritur që të zbardhin identitetin e tij, por për arsye hetimi nuk bëhet i ditur identiteti i tij.

Arrestimi

I dëmtuari 37-vjeçar, Ilir Dulla, pasi ka shkuar në shtëpi ka parë se atij i kishin vjedhur paratë, të cilat ai i mbante aty. Ai menjëherë është drejtuar për në ambientet e komisariatit të Fierit, ku ka bërë denoncimin në lidhje me këtë vjedhje. Menjëherë është ngritur një grup hetimi, i cili nisi nga puna për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ata shkuan në banesën e 37-vjeçarit, ku morën të dhënat e para, në lidhje me grabitësit nga gjurmët dhe shenjat e gishtërinjve që ata kishin lënë. Hetuesit kanë arritur që të gjejnë identitetin e autorëve dhe kanë nisur menjëherë nga puna për arrestimin e tyre.

Rreth orës 3:15, ata kanë arrestuar në banesën e tij 41-vjeçarin Edmond Avdo, ndërsa autori tjetër i kësaj vepre penale ka arritur që t’i shpëtojë. Policia po punon për kapjen e tij.

Ngjarja

Grabitësit kanë shfrytëzuar kohën kur në banesën e 37-vjeçarit nuk ka pasur njeri. Duket se ata e kanë studiuar mirë situatën dhe kanë gjurmuar rastin kur edhe vjehrra që banonte me të, nuk ka qenë në banesë dhe pastaj kanë hyrë brenda.

Pasi janë futur në dhomë, ata kanë kontrolluar për paratë që Dulla mbante. Aty kanë marrë një shumë prej 85 mijë eurosh dhe 60 mijë dollarësh amerikanë. Më pas kanë dalë nga shtëpia dhe kanë arritur që të largohen me shumën e parave.

Arrestohet autori i vrasjes se biznesmenit

Është arrestuar nga policia e Shkodrës autori i vrasjes së biznesmenit të ndërtimit, Arben Bitani. Sipas hetimeve paraprake, mendohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një borxhi. Autori Afrim Rraboshta është ndaluar nga uniformat blu të këtij komisariati, të cilët kanë njoftuar se ai fshihej në një fshat pranë Bushatit.

45-vjeçari Ben Bitani, nga Barbullushi, me banim në Shkodër gjeti vdekjen e menjëhershme, pasi u qëllua me tri plumba pistolete nga një distancë e afërt.

Krimi u krye në rrugën e fshatit Barbullush të Shkodrës, jo shumë larg lokalit të të afërmve të viktimës. Sipas policisë, autor i ngjarjes është shtetasi Afrim Rraboshta, banor i fshatit Barbullush. Nga të dhënat fillestare të grumbulluara nga policia, mësohet se viktima dhe autori kanë qenë së bashku në lokalin e familjes Bitani në Barbullush dhe kanë dalë andej së bashku, për t’u larguar me mjetin që drejtohej nga Ben Bitani. Ndërsa udhëtonin bashkë, ata janë ndaluar dhe kanë debatuar brenda në mjet, dhe aty Afrim Rraboshta ka qëlluar me armë drejtuesin e mjetit Ben Bitani dhe më pas është larguar. Mjeti me viktimën në vendin e shoferit është gjetur i ndezur në të majtë të rrugës, jo në asfalt. Ben Bitani është qëlluar një herë në kokë dhe dy herë në gjoks dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Mësohet se ka qenë vëllai i autorit që ka lajmëruar policinë për vrasjen e kryer. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkaku i vrasjes ka qenë një konflikt mes viktimës dhe autorit për një sasi parash që i detyroheshin njëri-tjetrit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›