Vendimi; Apeli rikthen në burg mjekun kirurg Agim Karaj
Disa javë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për mjekun kirurg Agim Karaj, Apeli e rikthen sërish në qelitë e burgut atë. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Apelit, pas apelimit që iu bë vendimit të Shkallës së Parë nga organi i akuzës. Shefi i Pavijonit të Kirurgjisë u arrestua me akuzën e “mitmarrjes” pas masës së caktuar në mungesë nga Gjykata e Tiranës, por ditën e vlerësimit të kësaj mase, po e njëjta gjyqtare ndryshoi qëndrim duke e liruar me “arrest shtëpie”, pavarësisht se nga organi i akuzës u paraqitën të njëjtat prova dhe rrethana për të vërtetuar akuzën e tyre. Kjo solli reagimin e organit të akuzës, por edhe atë të KLD-së, e cila filloi menjëherë hetimin e dy masave të caktuara nga gjykata për mjekët Karaj e Nelaj. Sipas akuzës, sapo është bërë publik arrestimi i mjekut Karaj, në prokurori janë regjistruar edhe disa kallëzime të tjera penale në ngarkim të tij. Ndërkohë që po sipas akuzës, gjatë verifikimit të llogarive bankare të dy mjekëve, kanë rezultuar shuma të konsiderueshme parash, të cilat mjekët i kanë justifikuar me punën në spital, klinika private dhe mësimdhënie.