Grabiti me armë paratë e doganës, ekstradohet nga Greqia 31-vjeçari
POGRADEC – Ekstradohet nga Greqia 31-vjeçari i dënuar për grabitjen e parave të doganës së Qafë-Thanës 11 vjet më parë. Interpol Tirana bëri të mundur ekstradimin e Jani Tollozhinës në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin e marrë për ngjarjen, 6.8 vjet heqje lirie. Banori i fshatit Buçimas është hetuar dhe dënuar në mungesë për veprën penale të “vjedhjes me armë e kryer në bashkëpunim”. Vendimi u mor nga Gjykata e Faktit në Pogradec, më 6 maj 2004. Ky vendim ka marrë formë të prerë prej vitesh, por dënimi nuk po kryhej, pasi Tollozhina rezultonte i larguar në drejtim të paditur. Prokuroria e Pogradecit e shpalli person në kërkim, ndërsa dhe Policia e Shtetit e renditi në listën e personave shumë të kërkuar. Vetëm pas 11 vjetësh nga dita e kryerjes së veprës penale të grabitjes me armë e në bashkëpunim ai u prangos në tokën helene, ku ishte fshehur e maskohej si emigrant ekonomik. Mësohet se së bashku me një person tjetër, ditën e 8 qershorit të vitit 1998, Tollozhina i ka bllokuar rrugën makinës së doganës së Qafë-Thanës, ndërsa po zbriste në rrugën nacionale Pogradec–Përrenjas. Ata kishin informacion se po transportoheshin paratë e xhiros së doganës. Të fshehur nën maska dhe nën kërcënimin e armës automatike, e detyruan drejtuesin e mjetit të qëndronte në mes të rrugës së bllokuar prej tyre me gurë e sende rrethanore. Mandej pasi plagosën njërin prej shoqëruesve të parave, i çarmatosën dhe grabitën të hollat e doganës. Sasia e parave asnjëherë nuk u bë e ditur nga organet kompetente, por mendohet se ka qenë e konsiderueshme, pasi dogana po bënte derdhjen e parave të xhiros 1-javore të saj. j.gj