E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grindet me të fejuarin, vetëvritet

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Vetëvritet me plumb në zemër pas debatit në telefon me të fejuarin e saj emigrant në Itali. E zhgënjyer nga telefonatat gjithnjë e më të rralla 20-vjeçarja Irena Runaj, nga fshati Mavrovë në Vlorë, i dha dje fund jetës me çiften që i ati e mbante në shtëpi me leje.
Mësohet se viktima ndërmori veprimin fatal në kushtet e një depresioni të rëndë, vetëm 10 minuta pasi në debat i fejuari i kishte mbyllur asaj telefonin. Duket se ky veprim i tij e ka trembur vajzën se ai kishte vendosur të ndahej prej saj. Kjo pasi 20-vjeçarja e kishte shprehur më parë këtë frikë tek të afërmit e saj, për shkak se kohët e fundit telefonatat e tij ishin gjithnjë e më të rralla dhe biseda mes tyre ishte e ftohtë dhe përfundonte gjithnjë me zënka. Kështu ndodhi edhe dje rreth orës 15:00. Viktima kishte folur në dhomën e saj me të fejuarin. Familjarët e saj kishin dëgjuar tone të larta e të ashpra. Ajo e akuzonte djalin e saj të zemrës se kohët e fundit e telefononte shumë rrallë. Ata dëgjuan të qara. Pak minuta më vonë, kur familjarët e saj janë gjendur përjashta, papritur dëgjuan një të shtënë që vinte brenda shtëpisë së tyre. Nxituan tek dhoma e Irenës, të cilën e gjetën të mbuluar me gjak. Tentativa për t’i dhënë ndihmën e parë ishte e kotë, pasi ajo kishte vdekur në vend. Saçma e çiftes i kishte shkatërruar kraharorin, duke i prekur edhe zemrën. Të alarmuar ata njoftuan policinë e Vlorës, e cila mbërriti në vendngjarje dhe kreu veprimet e duhura procedurale për hetimin e ngjarjes. Në sajë të ekspertizës së kryer në vend, rezultoi se viktima ishte vetëqëlluar me armë zjarri, çifte. Plaga e shkaktuar nga arma ishte vdekjeprurëse, pasi ishte marrë në kraharor, në krahun e zemrës. Policia mori në pyetje familjarët për të mësuar shkaqet që e detyruan 20-vjeçaren të arrinte gjer në vetëvrasje. Sipas dëshmisë së dhënë prej tyre, mësohet se vajza rreth dy ditë më parë kishte debatuar shumë ashpër me të fejuarin e saj në telefon. Edhe dje ishte përsëritur e njëjta situatë, ku biseda me tone të larta kishte zgjatur vetëm për pak minuta. Ajo i kishte kërkuar të fejuarit të saj (emigrant prej më shumë se 4 vitesh në Itali) që ta merrte më shpesh në telefon. Gjithashtu, vajza, e cila kishte rreth një vit e gjysmë që ishte fejuar, i ka kërkuar atij të vinte më shpesh për ta takuar. Mbas këtij debati ai ia ka mbyllur telefonin. Duket se ajo ka menduar se i fejuari do ta lërë, ndaj në kushtet e një depresioni që nga dita në ditë kishte ardhur duke u rënduar, ajo mori armën që kishin në banesë dhe kur u gjend e vetme u vetëvra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›