Trafikoi kokainë, 11 vjet studentes
TIRANE – Prokuroria për Krimet e Rënda kërkon 33 vjet burg në total për studenten e mjekësisë dhe dy bashkëpunëtorët e saj të arrestuar për “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Pak ditë më parë, Gjykata për Krimet e Rënda u njoh me konkluzionet përfundimtare të organit të akuzës për të pandehurit Aurora Liço dhe Ilia e Pandush Naslazi. Sipas Prokurorisë, nga hetimet e kryera dhe provat e siguruara rezulton e provuar fajësia e të pandehurve. Në përfundim të konkluzioneve nga pala e akuzës u kërkua deklarimi fajtor i tre të pandehurve dhe dënimi i tyre me nga 11 vjet burg. Por për shkak se gjykimi në ngarkim të tyre u zhvillua me kohë të shkurtuar, ata përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit, duke u kërkuar nga 8 vjet e 8 muaj burg për secilin. Studentja 21-vjeçare Aurora Liço u arrestua në 27 tetor të vitit 2008. Prangosja e saj u realizua teksa po tentonte të kalonte drejt Greqisë në pikëkalimin kufitar të Kapshticës një sasi prej 640 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë. Një ditë pas arrestimit të saj nga oficerët e Sektorit të Antidrogës në Policinë e Shtetit, në pranga përfunduan edhe dy të identifikuarit si furnitorë të saj, Ilia dhe Pandush Naslazi. Emrat e tyre u gjetën nga Prokuroria në listën e emrave në telefonin celular të studentes së vitit të dytë të mjekësisë. Mbajtja në përgjim e numrave të tyre celularë nga ana e Prokurorisë kishte zbuluar linjën e trafikut të drogës. Ndërsa gjykata caktoi për ta masën e sigurisë “arrest me burg”, 21-vjeçarja e apeloi atë. Por pretendimi i saj për një masë sigurie më të lehtë për shkak të ndjekjes së studimeve nuk e bindi Apelin, që nuk ia ndryshoi masën e sigurisë. ar.ba