E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA kërkon “mashtruesin” shqiptar

 

Fatos Mahmutaj

Kërkohet ekstradimi i shqiptarit të përfshirë në një skemë mashtrimesh në SHBA.
Kërkesa për dërgimin e tij me pranga në Amerikë është paraqitur dy javë më parë në Gjykatën e Tiranës, ndërsa mesditën e së premtes nisi shqyrtimi i saj nga gjykatësi Arben Micko. Duke iu referuar të dhënave nga gjykata, rezulton se çështja është regjistruar me numrin 889, dhe është regjistruar në sekretarinë e gjykatës më datë 13 maj. Kërkuesi është prokuroria e kryeqytetit, ndërsa dosja është regjistruar në regjistrin e ekstradimeve. Prokuroria pohon se e ka mbështetur kërkesën në  nenin 492 të Kodit të Procedurës Penale, kurse objekti i saj është: “Ekstradimi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të 31-vjeçarit Gjergj Hajati, alias George Hajati”. Seanca e parë e procesit ishte caktuar të zhvillohej mesditën e së premtes, por për shkak të mungesës së përfaqësuesve të ambasadës amerikane nuk u zhvillua, duke detyruar gjykatësin që ta shtynte gjykimin për më datë 10 qershor. Ndërkohë, gjykata vendosi që gjatë kësaj kohe të njoftohej ambasada amerikane, në mënyrë që të paraqitej në proces. I arrestuari më 18 mars të këtij viti, Gjergj Hajati, rezulton të jetë shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Distriktit Harford, ShBA, ka lëshuar një “urdhër-arresti” më datë 24 janar 2008, për veprën penale të mashtrimit në fushën e kredive në vlera shumë të mëdha dhe falsifikimit. Këto vepra penale parashikohen nga neni 18, Seksioni nr. 1341 i Kodit Penal të SHBA-ve. Nëse gjykata e gjen fajtor atë për këtë vepër penale, sipas ligjeve amerikane ai rrezikon një dënim që shkon në maksimumi 30 vite burg. Menjëherë pas daljes së vendimit të gjykatës autoritetet policore amerikane kanë nisur kërkimin e tij, por që ishte bërë i vështirë, pasi 31-vjeçari veç emrit të vet, Gjergj Hajati, ka përdorur edhe emrin e rremë George Hajati. Me anë të këtij falsifikimi ai kishte mundur të mbërrinte në Shqipëri, duke iu shpëtuar prangave nëpër disa shtete ku ka kaluar. Ndërkohë autoritetet policore amerikane pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar kanë njoftuar me një shkresë të posaçme edhe autoritetet policore shqiptare. Pas njoftimit të marrë nga Interpoli, blutë kanë nisur survejimin e tij, duke përpunuar me kujdes informacionet për vendndodhjen e mundshme të 31-vjeçarit. Pasi ka rënë në gjurmët e tij, policia ishte vënë në ndjekje dhe ka mundur ta prangosë vetëm në momentin që po kalonte në doganë.

U kap kur po tentonte kalimin në Mal të Zi
TIRANE - Gjergj Hajati u arrestua më 18 mars në pikën kufitare të Hanit të Hotit, duke tentuar të largohej drejt Malit të Zi. Policia e Shtetit njoftoi atëherë se: “Pas një hetimi disamujor, nga ana e agjentëve të Departamentit amerikan të Shtetit pranë ambasadës amerikane, agjentëve të FBI-së në bashkëpunim me Interpol Tiranën është bërë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit Gjergj Mëhill Hajati, 31 vjeç, banues në SHBA, me shtetësi amerikane dhe shqiptare. Ndalimi i tij është bërë në afërsi të pikës së kalimit kufitar Han i Hotit, gjatë tentativës për t’u larguar në drejtim të Malit të Zi”. Më tej policia pohoi se ky shtetas ishte larguar prej tre muajsh nga Amerika dhe kishte vendosur të fshihej në vendlindje për t’iu shpëtuar prangave. Por pas kësaj agjentë të FBI-së janë vënë në ndjekje të tij duke lokalizuar vendndodhjen në Shqipëri. Po kështu ai është mbajtur në vëzhgim të pandërprerë derisa u bë e mundur prangosja e tij në kufi me Malin e Zi dhe u dërgua në paraburgim deri në përfundim të proceduarve të ekstradimit. f.m.

Shqiptari mashtroi me një milion USD
TIRANE – Gjergj Hajati, 31-vjeçari me kombësi shqiptare dhe nënshtetësi amerikane, akuzohet se gjatë qëndrimit në SHBA ka mashtruar disa qytetarë dhe banka në fushën e kredive. Sipas Policisë së Shtetit, të cilët i referohen burimeve nga Interpoli, shuma që ka përfituar 31-vjeçari shqiptar si pasojë e mashtrimeve shkon në rreth një milion dollarë amerikanë. Pasi ka përfituar këtë shumë ai është larguar, duke iu shpëtuar prangave pasi ka kaluar disa shtete, ndërsa u kap gjatë përpjekjes për të kaluar në Malin e Zi. Tashmë atij do i duhet të përballet me drejtësinë amerikane, ku sipas ligjeve rrezikon një dënim që në maksimum shkon në 30 vite burg. Ende nuk dihet cili është qëndrimi i tij përballë akuzës së ngritur në SHBA. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›