E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiti në mes të qytetit, arrestohet 31-vjeçari

Grabiti me dhunë një 39-vjeçare nga Elbasani, prangoset nga policia. Burime zyrtare nga organi blu i Beratit bënë të ditur se mëngjesin e djeshëm, një 39-vjeçare me inicialet E.D., banore e qytetit të Elbasanit, është grabitur me dhunë në lagjen "10 Korriku", shumë pranë gjykatës së këtij rrethi. Mësohet se gruaja ka qenë duke ecur në rrugën kryesore të kësaj lagjeje, në kohën kur i është afruar një i ri, që i ka marrë forcërisht portofolin që mbante në dorë. Pas ngjarjes, gruaja ka denoncuar në organin blu dhe policia ka nisur menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes. Mësohet se fillimisht ajo është munduar të mbrohet, por autori mësohet se i ka qëlluar në fytyrë dhe ka arritur t‘i rrëmbejë nga duart portofolin dhe më pas është larguar me shpejtësi. 39-vjeçarja ka pohuar për ekspertët e policisë se në portofolin e grabitur i ndodheshin 4,5 mijë lekë dhe disa dokumente të rëndësishme. Ajo ka bërë përshkrimin e autorit të ngjarjes, çka mundësoi identifikimin e tij nga ana e policisë. Disa orë më pas, uniformat blu kanë mundur të prangosin 31-vjeçarin Marketin Prifti, lindur dhe banues në lagjen "Çlirim" të qytetit të Beratit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, arrestimi i tij u bë në periferi të lagjes "Kala", në kodrat e saj, në vendin e quajtur "Lisi i Beçit". Sipas policisë, 31- vjeçari është ndaluar si person i dyshuar, si autor i mundshëm i grabitjes. Ndërkohë, materialet i kaluan prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›