E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton të vetëvritet fëmija, shpëtohet nga familjarët

Një i mitur nga zonat rurale të Fushë-Krujës është vetëvarur në shtëpinë e tij, por familjarët kanë mundur të ndërhyjnë në kohë dhe ta çojnë të gjallë në spital. Skena ka qenë tepër e rëndë për pjesëtarët e familjes, kur kanë parë njeriun e tyre, ende të parritur, të varur në një litar në kasollen e bagëtive, teksa ndodhej mes jetës e vdekjes. Ndërhyrja e shpejtë e tyre e ka mbajtur në jetë, ndonëse në gjendje të rëndë. Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 19:05, 14-vjeçari me inicialet G.Ll., nga fshati Bubq i Fushë-Krujës, është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Njoftimi është bërë nga salla operative e policisë së kryeqytetit, e cila ka njoftuar homologen e Durrësit për ngjarjen e ndodhur në territorin e saj. Pas verifikimeve të bëra nga shërbimet e policisë së Komisariatit të Krujës, rezulton se i mituri ka tentuar të vetëvaret në ambientet e banesës së tij, por është arritur të konstatohet në kohë nga të afërmit, të cilët kanë ndërhyrë dhe e kanë dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet aktualisht në sallën e reanimacionit në gjendje kome, nën kontrollin e mjekëve. Burimet policore thanë se po vazhdon puna për saktësimin e plotë të rrethanave të ngjarjes që çuan të miturin drejt aktit tragjik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›