Kapet në autobusin e linjës udhërrëfyesi i klandestinëve
Përdorte autobusin e linjës Sarandë-Qafëbotë për të kaluar ilegalisht për në Greqi klandestinë, kundrejt pagesës 900 euro për person por kapet nga policia. Burime zyrtare nga organi blu i Sarandës bëjnë të ditur se është arrestuar në kushtet e flagrancës Florian Allushi, pasi ai ushtronte sistematikisht trafikimin e klandestinëve, duke i ndihmuar ata në kalimin e paligjshëm të kufirit të gjelbër me Greqinë. Ditën e hënë, 23-vjeçari Allushi është ndaluar nga policia e Sarandës, që më parë kishte grumbulluar në rrugë operative të dhëna mbi veprimtarinë e tij, duke u maskuar me udhëtimet e organizuara prej tij me autobusin e linjës Sarandë-Qafëbotë, dhe jo si zakonisht, me autovetura apo taksi. Arrestimi i të riut, lindur dhe banor i Fushë-Krujës, është bërë ndërkohë që ai shoqëronte shtatë persona në autobusin e linjës, i cili u ndalua në kryqëzimin e fshatrave Vrinë dhe Shëndëlli, duke udhëtuar në drejtim të Qafëbotës. Bashkë me shtetasin Florian Allushi u shoqëruan edhe shtatë personat, "klientë" të tij, për të cilët është mësuar se ishin nga Fushë-Kruja, Bulqiza, Kruja dhe Elbasani. Burimet policore konfirmuan se 23-vjeçari Florian Allushi ka qenë edhe më parë i dënuar për të njëjtën vepër penale.