E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre zjarre brenda një dite, nuk ka të lënduar

Tri vatra zjarri janë regjistruar brenda pak orësh ditën e djeshme në qytetin e Elbasanit. Rasti i parë i zjarrit u konstatua në Ish-Kombinatin Metalurgjik, prapa uzinës së çelikut. Zjarri ra shumë pranë tubave të solarit, por ndërhyrja e zjarrfikëseve ka qenë e menjëhershme, duke shuar në kohë flakët. Ndërsa rasti i dytë u konstatua në një banesë në lagjen "5 Maji", ku mendohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike. Flakët kanë djegur plotësisht një dhomë, ndërkohë që forcat zjarrfikëse që mbërritën menjëherë në vendngjarje kanë mundur të shuajnë flakët të cilat rrezikonin dhe banesat aty pranë. Rasti i tretë u konstatua në lagjen "NSHU", në periferi të qytetit, në një pikë grumbullimi mbetjesh për skrap, shumë pranë zonës së banuar. Zjarri ka shkaktuar panik te banorët, pasi në mbeturinat e skrapit ndodheshin shumë bombola gazi, të cilat kanë shpërthyer. Fatmirësisht, zjarrfikëset kanë mundur ta marrin shumë shpejt situatën nën kontroll, duke shmangur përhapje e flakëve të zjarrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›