E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiti pronën e emigrantit, pranga drejtorit të bujqësisë

Ish-drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë së Fierit, Faik Memushi, u arrestua dje pasi rezultonte si person në kërkim nga drejtësia. 

FIER/MAJLINDA RAMA

Një vendim i Gjykatës së Fierit që mban datën 23 prill 2007, e kishte shpallur fajtor për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" dhe e kishte dënuar me 8 muaj heqje lirie. Policia e Fierit e ka prangosur Memushin në banesën e tij në në Komunën Frakull të këtij rrethi. Burime të policisë bënë të ditur se, Faik Memushi, 60 vjeç, ka zotëruar postin e kreut të bujqësisë së Fierit nga periudha 1999-2004. Sipas burimeve, pas largimit të tij nga ky post, banori i Frakullës M.N., e ka paditur atë në gjykatë duke e akuzuar për tjetërsim pronësie. Sipas denoncimit të M.N., Memushi duke shpërdoruar detyrën, kishte dhënë një vërtetim ku deklaronte se një sipërfaqe toke bujqësore, që ishte pronë e tij ishte jo cilësore dhe joproduktive. Bëhej fjalë për një sipërfaqe rreth 3 dynym, e cila ishte ndarë në bazë të ligjit 7501 si tokë bujqësore dhe më vonë ishte trajtuar nga ish-drejtori si tokë që nuk i përmbushte kriteret për t'u quajtur e tillë. Sipas pronarit të tokës, i cili në këtë kohë ishte në emigracion, pas cilësimit si tokë joproduktive të truallit, do të ngrihej një komision që do t'ia hiqte atij pronësinë. Pas kësaj akuze Prokuroria e Rrethit Fier ka nisur punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Në përfundim të hetimeve të kryera nga ana e organit të akuzës, gjithçka ka rezultuar e vërtetë. Gjatë një seance të zhvilluar në muajin prill të vitit të kaluar Memushi është dënuar në mungesë me tetë muaj burg për tjetërsimin e pronës duke shpërdoruar detyrën. Bëhet e ditur se që prej shpalljes së vendimit për dënimin e tij, Memushi ka qëndruar i fshehur për t'i shpëtuar prangosjes dhe më pas vuajtjes së dënimit. Policia e Fierit ishte vënë në ndjekje të tij disa herë, por nuk kishte mundur të gjente shenja, që të vërtetonin praninë e tij në qytetin e Fierit. Pak ditë më parë vendndodhja e tij u lokalizua. Pas nxjerrjes edhe të një urdhër-ndalimi nga Prokuroria, i cili datonte tre ditë më parë, një aksion i sektorit të luftës kundër krimit ekonomik në bashkëpunim me sektorin e kërkimeve në Drejtorinë e Policisë së Fierit bënë të mundur ndalimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›