E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç para Gjykatës: Kam frikë se do më vrasin

Radovan Karaxhiç doli për herë të parë përpara Gjy-katës së Hagës, ku dëgjoi akuzat kundër tij, por refuzoi të mbajë qëndrim ndaj tyre. 

 Ai do të deklarohet një muaj më vonë, pasi t'i ketë shqyrtuar ato. Pasi lexoi akuzat dhe të drejtat e tij, Gjykatësi Alphons Orie vazhdimisht e ka ndërprerë z. Karaxhiç që të mos tejzgjatet në raportin e tij katër faqesh dhe në ankesat e shumta të tij, ai nuk e ka lejuar as ta dorëzojë këtë dokument në trupin gjykues. Gjykatësi Orie dukej qartë se kërkoi që në fillim të vendoste autoritetin e tij dhe të mos lejonte procedura që vononin seancat siç ndodhi në rastin e Sllobodan Millosheviç, ish-presidenti serb që vdiq në paraburgimin e Hagës në vitin 2006. Ndërsa lexoheshin akuzat kundër tij, mediat e pranishme e kanë komentuar Karaxhiçin 63 vjeç, me sy të ulur apo me shikim anash dhe herë pas here pinte nga një filxhan që kishte pranë. Akuzat kundër tij kishin lidhje me pastrimin etnik në Bosnje në konfliktin 1992-'95, dhe masakrën e 8 mijë meshkujve, burra dhe djem në Srebrenicë në vitin 1995. I pyetur nëse do të caktonte një përfaqësues ligjor, Karaxhiç deklaroi: "Kam një këshilltar të padukshëm dhe do të përfaqësoj veten". Karaxhiç kishte veshur një kostum të errët, këmishë të bardhë dhe kollare. "E konsideroj veten me kombësi nga Bosnje-Hercegovina, Republika Srpska (zona autonome serbe në Bosnjë), Malit të Zi dhe Serbisë". 
Reagimi i Karaxhiç 
Radovan Karaxhiç foli për frikën që kishte se do të vritej, ndërsa qëndronte në paraburgim dhe u ankua për rrethanat e arrestimit të tij, pasi dëgjoi me gjakftohtësi akuzat kundër tij për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Në seancën hapëse të gjykimit të tij, e cila zgjati rreth një orë, Karaxhiç deklaroi se mbetet qytetar i tre vendeve dhe shpreson të bashkojë përsëri Serbinë e Madhe. I shfaqur me një look të ri, i zbehtë dhe pa mjekër, me flokë të shkurtër si dikur, por me një pamje shumë më të mplakur, me shumë më pak kile në trup Karaxhiç refuzoi të deklarojë qëndrimin e tij kundrejt akuzave, por kërkoi 30 ditë kohë për t'i shqyrtuar ato para se të vetëdeklarohet i fajshëm apo i pafajshëm.
Akuzat kundër Hollbruk
Karaxhiç më pas akuzoi Richard Holbrooke, diplomatin amerikan, i cili shërbeu si komisioner në marrëveshjen e Dejtonit, se ka bërë një marrëveshje me të në emër të Shteteve të Bashkuara për t'i garantuar atij imunitet nëse ai zhdukej, një deklaratë e thënë edhe më parë, por e refuzuar nga z. Hollbruk. Karaxhiç tha se tani ai i trembej kundërpërgjigjes ndëshkuese të z. Hollbruk, i cili vetëm pak ditë më parë tha se, Karaxhiç duhet të përballet me dënimin me vdekje. "Kjo është një çështje jete a vdekje. Nëse z. Hollbruk e dëshiron vdekjen time dhe i vjen keq se, këtu nuk lejohet dënimi me vdekje, unë pyes veten nëse krahët e tij janë kaq të gjatë sa të arrijnë deri këtu". 
Deklarata e vëllait
Vëllai i Karaxhiç ka deklaruar dje se ish-lideri serb i Bosnjës kishte përgatitur fort për një mbrojtje të mirë kundër akuzave të tilla, ndërsa ishte në kërkim. "Ai ishte shumë i përgatitur për arrestimin tij të mundshëm dhe e ka menduar çdo gjë mirë e thellë", tha Luka Karaxhiç për të përditshmen ruse, "Izvestia".
"Autoritetet që kapën Karaxhiç konfiskuan laptopin e tij dhe më shumë se 50 disqe, që përmbanin dokumente për mbrojtjen e tij", tha i vëllai, duke shtuar se Karaxhiç "shpreson për ndihmë nga diplomacia ruse". Nëse dënohet për gjenocid, Karaxhiç do të jetë i pari nga 161 të dyshuarit, që do të gjendet fajtor nga Gjykata për akuza kaq të rënda. Seanca e ardhshme do të jetë të premten, më 29 gusht, kur Karaxhiç pritet të deklarohet lidhur me 11 akuzat kundër tij, edhe pse prokurori Brammertz konfirmoi se, ai do të rishikojë akuzat, gjë që mund të vonojë procesin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›