E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimi: Trafik droge nga burgu

Një shqiptar i dënuar dhe i burgosur në Greqi ka porositur drogë tek një grup kriminal që vepronte në Tiranë, Elbasan dhe Korçë, tashmë i arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. 

Trazhgim Sokolaj

 Porositë për ngarkesat e drogës që do të shpërndaheshin në tokën helene, janë bërë nga i burgosuri shqiptar, nëpërmjet bisedave telefonike me celular nga burgu dhe nga kabina telefonike e institucionit të vuajtjes së dënimit. Një fakt i tillë është zbuluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë hetimeve për nëntë personat e akuzuar si anëtarë të grupit kriminal të arrestuar gjatë operacionit antidrogë "Eagle". Dosja penale ndaj këtyre personave është kompletuar me provat për trafikimin e drogës dhe tashmë i është dorëzuar Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë për fillimin e procesit gjyqësor. Hetimi ka filluar më 4 prill 2007 pas referimit të materialeve nga Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar menjëherë hetimet duke verifikuar personin me emrin Arben Çollaku, i cili me bashkëpunëtorët e tij dyshohej se trafikonte drogë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Nga verifikimet e agjentëve të policisë është bërë identifikimi i të dyshuarit Arben Çollaku, i cili në të vërtetë kishte edhe një identitet tjetër, Gjergji Çollaku, lindur dhe banues në Korçë. Sipas Prokurorisë, ky person vepronte në mënyrë të sofistikuar përmes lidhjeve të tij, çka ka bërë që për një periudhë kohe policia të dështonte në kapjen e ngarkesave me drogë të qarkulluara prej tij. Hetimet kanë zbuluar bashkëpunëtorin e Arben alias Gjergji Çollakut, shtetasin Juxhin Kulla, i cili thirrej me emrat Leksi dhe Leko, i cili pas verifikimeve të agjentëve rezultoi të ishte në të vërtetë, Aleko Jorgaqi, lindur e banues në Korçë. Hetimi avancoi më tej në zbulimin e një tjetër të implikuari, Roni Dhimitri, edhe ky lindur e banues në Korçë. Sipas hetimeve të gjithë këta persona, dyshohet se janë implikuar në ngjarjen e datës 29 gusht 2007 kur në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës është arrestuar në flagrancë Altin Sotomeni. I cili po trafikonte drejt Greqisë 13 kilogramë e 293.6 gramë heroinë dhe 579.2 gramë kokainë. Për këtë ngarkesë, sipas hetimeve Arben alias Gjergji Çollaku kishte biseduar me telefon me personin e njohur si Geni, i cili fliste nga një burg në Greqi. Personazhi i njohur si Geni kërkonte ngarkesa me lëndë narkotike, të cilat duhej të dërgoheshin deri në kufi nga Arben Çollaku e më pas në Greqi do të lëviznin e trafikoheshin nën kujdesin e "Genit", i cili ka ofruar një pagesë deri në 5 mijë euro për çdo kilogram droge. Arben alias Gjergji Çollaku i ka thënë "Genit" se, për lëvizjen e ngarkesës me heroinë të gjitha rreziqet në rast të kapjes së saj i merrnin Juxhini, Aleksi dhe Roni alias Shulja. Hetimi ka dokumentuar të gjitha takimet e të implikuarve dhe kontaktet e tyre me shoferin, që do të çonte drogën në Greqi dhe për këtë do të paguhej me plot 154 mijë euro, pra 1 mijë euro për çdo kilogram të lëndës narkotike. Pas kapjes së makinës me drogë, e cila ishte nisur me porosi të personit të njohur me nofkën "Geni", ky i fundit ka folur me Arben Çollaku tek i cili kishte bërë porosinë. Çollaku i tregon të burgosurit në Greqi se shoferi bashkë me drogën ishte kapur duke i thënë "ka thyer qafën ai treni". Ndërsa fliste me një person tjetër me qëndrim në Greqi, një ditë pas kapjes së ngarkesës me drogë, Arben Çollaku është shprehur se "Genit" "nuk iu mbarua punë mbrëmë". Grupi ka vijuar aktivitetin kriminal deri në momentin e arrestimit ndërsa tani, dosja është dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. 

Të akuzuarit

1.    Gjergji,             alias Arben Çollaku
2.    Juxhin                 Kulla
3.    Aleko                 Jorgaqi
4.    Roni                 Dhimitri
5.    Altin                 Stonomeni
6.    Artur                 Fecanji
7.    Ernest                 Nane
8.    Rexhep                 Abdillari
9.    Dritan                 Muça 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›