E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhelozia, polici vret gruan dhe veten

Xhelozia i merr jetën të dashurës e më pas edhe të dashurit të saj, me të cilin viktima bashkëjetonte prej dy vitesh në Tiranë. 

Dashamir Biçaku

Efektivi i Policisë së Objekteve, Hazir Sallahi, qëlloi katër herë me pistoletë të dashurën e tij Anila Laze. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:10 pranë ish-tipografisë ushtarake në zonën e Porcelanit në Tiranë. Kur ndodheshin në një bllok pallatesh të zonës ku ndodhi krimi, dy protagonistët e ngjarjes kanë pasur një zënkë mes tyre. Hazir Sallahi, 45 vjeç, efektiv i komisariatit nr.2, ka qëlluar me armë zjarri Anila Lazen, 34 vjeçe. Prej më tepër se dy viteve ata bashkëjetonin në një apartament në rrugën "Qemal Stafa" në Tiranë. Pas divorcit me gruan e parë, efektivi i Policisë së Objekteve bashkëjetonte prej dy vitesh me Anila Lazen, të cilën e qëlloi katër herë me armë për motive xhelozie. Autori i krimit ka mundur të ecë vetëm pak hapa përtej kufomës së 34-vjeçares dhe ka ndaluar. Është rikthyer në vendin ku kishte mbetur pa frymë dhe e rrëzuar përtokë e dashura e tij dhe ka vrarë veten aty pranë. Burimet zyrtare të policisë thanë se, Hazir Sallahi ka qëlluar veten një herë në kokë, duke mbetur i vdekur në vend. Ngjarja ndodhi në sytë e shumë kalimtarëve të shumtë, të cilët gjithsesi nuk patën mundësinë më të vogël për t'i shkuar në ndihmë çiftit në konflikt. Nga hetimet e para të kryera prej policisë së Tiranës, është mësuar se viktima ka vrarë të dashurën e tij për motive xhelozie, pasi dyshonte se ajo e tradhtonte me një person tjetër. Katër ditë më parë, çifti ishte grindur për shkak të xhelozisë që Hazir Sallahi kishte për të dashurën me të cilën bashkëjetonte, Anila Laze.
Vetëvrasja e dyfishtë
Sipas policisë, burrë e grua kanë qenë duke ecur në rrugë, ndërsa po grindeshin mes tyre rreth orës 16:10. Gruaja mendohet se ka qenë duke zbritur në stacionin aty pranë për të marrë autobusin në drejtim të qendrës, ndërsa pas saj po lëvizte polici i objekteve Hazir Sallahi. Prej dy ditësh ata mësohet se ishin ndarë për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre. Sapo ata kanë dalë në rrugën kryesore të bulevardit "Qemal Stafa", ku gruaja donte të merrte autobusin e linjës së Porcelanit për në qendër, ajo është kërcënuar nga bashkëjetuesi i saj. "Ndalo se do të të vras", ishin fjalët e burrit, por edhe pas kërcënimit të tij, Anila nuk ka ndaluar, është kthyer dhe ka tentuar të largohet me qëllim për të shpëtuar nga agresioni. Fjalët kërcënuese të autorit të krimit janë dëgjuar nga disa kalimtarë, të cilët më pas i treguan policisë gjithçka kishte ndodhur. Polic i objekteve në komisariatin nr.2, ka nxjerrë armën e punës dhe më pas ka qëlluar në drejtim të së dashurës, duke e lënë atë të vdekur në vend. Më pas autori i krimit ka kaluar në anën tjetër rrugës pranë një lokali, duke mbajtur pistoletën në dorë. Aty ka qëndruar pak sekonda dhe është kthyer sërish në vendin ku kishte qëlluar të dashurën. Aty ka nxjerrë armën, rreth katër metra larg vendit ku gjaku rridhte nga trupi i gruas së vdekur dhe ka qëlluar veten. Një herë në kokë ka mjaftuar për t'i marrë jetën. Të dy trupat kanë qëndruar pak minuta aty, ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje. E gjithë zona është bllokuar menjëherë, kurse kufomat janë nisur në drejtim të morgut pasi u konfirmua se nuk kishte asnjë mundësi për t'u rikthyer në jetë. Polici i vetëvrarë kishte ende në dorë pistoletën me të cilën bëri vetëvrasjen e dyfishtë. Ekspertët kanë administruar pesë gëzhoja të qitura nga arma e Hazir Sallahit. Hetuesit konstatuan katër plagë me armë zjarri në trupin e gruas dhe një të vetme në kokë, tek polici i objekteve.

Viktimat

Hazir Sallahi, 45 vjeç Punonjës i Policisë së Objekteve, komisariati nr.2  Përdori armën e shërbimit, pistoletë tip "TT"

Anila Laze, 34 vjeçe, me profesion rrobaqepëse, banuese në Tiranë

Dëshmitarja: Pashë policin kur u vetëvra

TIRANE - Një vajzë dëshmitare në vendin e ngjarjes, ka pohuar dje pasdite për gazetën "Panorama", se ajo kishte qenë duke ecur në rrugë, kur ka parë që burri të qëllonte veten me pistoletë. "Pashë që ai qëlloi veten, e drejtoi pistoletën në kokë dhe shkrepi", pohoi vajza, ndërsa pranon të rrëfejë ngjarjen e rëndë me dy të vrarë.
Çfarë mundët të shihnit, kur ndodhi ngjarja?
Isha duke u kthyer për në shtëpi dhe isha tek pjesa pas rrugës. Nuk arrija të shihja gjë, por dëgjoja grindjet e tyre. Dëgjoja gruan që thoshte atij largohu, ndërsa ai i kërkonte të ndalonte. Dëgjova disa krisma që dukeshin si krisma arme, dola në rrugë dhe pashë gruan të shtrirë në tokë. Ishte rreth 100 metra nga kryqëzimi i rrugës.
Po burri ishte ende gjallë?
Po, ai ishte fare pak metra larg saj. Pashë që ai ngriti pistoletën dhe më pas e drejtoi në kokën e tij. E shkrepi menjëherë atë dhe u shemb përdhe. U ktheva menjëherë me kurriz nga vendi i ngjarjes dhe më pas u largova, sepse nuk mund të shikoja gjak. Ika dhe nuk qëndrova më aty. Pastaj pashë që kishte ardhur policia këtu.

Vetëvrasja, policia: Pyetëm 12 dëshmitarë

TIRANE - Krimi i dyfishtë që ndodhi në bulevardin "Qemal Stafa" në Tiranë, ku Hazir Sallahi, qëlloi të dashurën  me të cilën bashkëjetonte prej dy vitesh, ka bërë që policia të shoqërojë në komisariat rreth 12 dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes. Të gjithë personat sipas burimeve të policisë, kanë parë ngjarjen me sytë e tyre dhe mund të ndihmojnë hetuesit në zbardhjen e rrethanave të vrasjes së dyfishtë, si dhe në motivet e mundshme të saj. Deklarimet e marra prej tyre kanë dhënë policisë detaje të rëndësishme, si ajo e grindjes mes çiftit që kishte zgjatur disa minuta e deri tek ekzekutimi. Sipas dëshmitarëve të pyetur nga hetuesit, çifti po ecte duke u grindur, ndërsa burri i kërkonte gruas të ndalonte dhe të shkonte me të. Sipas tyre, kur gruaja është munduar të largohet efektivi i objekteve nuk ka zgjatur më tej historinë por ka nxjerrë armën, duke qëlluar plot katër herë në drejtim të Anila Lazes. Ajo është shembur sipas dëshmitarëve menjëherë ndërsa pas pak sekondash, ai ka qëlluar edhe veten. Veç gëzhojave të qitura, policia ka administruar armën e krimit, një pistoletë të markës "TT", si dhe disa prej predhave.                     d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›