E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lazarat, policia qëllohet me snajper

Në orët e para të mëngjesit të dje-shëm policia e shtetit ka bërë hyrjen e paralajmëruar në fshatin Lazarat, për asgjësimin e parcelave të mbjella me kanabis. 

GJIROKASTER

 Veprimet operacionale të policisë vazhduan në fshat deri rreth mesditës, ndërsa banorët e zonës u kundërpërgjigjën me armë ndaj pranisë së forcave të rendit. Nga burime zyrtare të operacionit, konfirmohet se predhat e të shtënave nga banorët e Lazaratit kanë rënë fare pranë automjeteve të blinduara të policisë dhe në afërsi të pozicioneve ku ishin stacionuar efektivat e rendit, që morën pjesë në operacion. Grupe efektivash të repartit RENEA, forca të ndërhyrjes së shpejtë në brezin e dytë dhe efektiva të policisë lokale, kanë hyrë në Lazarat në orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm. Forcat e policisë vepruan lirisht deri në të zbardhur të mëngjesit, por më pas, banorët e zonës, që ishin larguar me kohë nga fshati, kanë mundur të ndjekin veprimet e uniformave blu dhe të bëjnë presion ndaj tyre me të shtëna armësh. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, tha se forcat e policisë lokale në Gjirokastër të mbështetura nga FNSH-ja dhe reparti RENEA, hynë në Lazarat dhe asgjësuan 8501 rrënjë të bimës narkotike kanabis sativa. Operacioni është koduar me emrin "Era e malit" dhe është zhvilluar pas informacioneve të marra në rrugë operative për ekzistencën e parcelave të mbjella me kanabis në Lazarat. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mohoi të ketë pasur të shtëna armësh nga banorët e zonës, por nga pjesëmarrës të policisë lokale në operacion, konfirmohet se kundërpërgjigja me armë e banorëve të zonës do të kishte vënë në rrezik uniformat e policisë, nëse ata nuk do të ishin veshur me antiplumb gjatë ndërhyrjes në Lazarat. Fakti se ka pasur të shtëna armësh, është pranuar edhe nga vetë kreu i komunës, Dashnor Aliko. Disa prej predhave që kanë rënë mbi blindat dhe vendqëndrimet e policisë janë sekuestruar, dhe pas verifikimeve rezultuan se i përkasin armëve të tipit snajper.
"Era e malit"
Gjatë qëndrimit të policisë në Lazarat mësohet se janë asgjësuar 19 parcela të mbjella me kanabis, të cilat janë korrur e më pas zhdukur me anë të djegies. Për të gjitha ato policia ka pasur informacione operative, të cilat janë konfirmuar gjatë verifikimeve në terren. Duket se edhe aksioni i djeshëm i policisë në Lazarat, ka qenë i dekonspiruar për shkak se në kohën kur forcat e rendit mbërritën në fshat, pronarët e shtëpive rreth të cilave ishte mbjellë kanabis, ishin larguar me kohë. Dyshohet se kanë qenë pikërisht këta persona, të identifikuar tashmë, ata që kanë qëlluar në drejtim të policisë dhe mjeteve të blinduara me të cilat forcat e rendit kanë hyrë në Lazarat. Hyrja në fshat është bërë në orën 04:00 kur makina të shumta të policisë janë pozicionuar në hyrje të Lazaratit pranë rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë, si dhe në zonën e poshtme të fshatit, në lagjen Kordhocë. Forcat e policisë krehën zonën e parë në hyrje të fshatit, por 30 minuta pas mbërritjes së policisë, janë dëgjuar të shtënat e para që vinin nga veriu i Lazaratit në kohën kur policia po përparonte drejt qendrës së fshatit. Policia megjithatë nuk është tërhequr, por ka ezauruar kontrollin në të gjitha zonat ku sipas informacioneve paraprake, ishte mbjellë kanabis. Policia ka bërë kontrolle banesash në dhjetëra shtëpi të braktisura pa ndeshur në rezistencë, pasi banorët ishin larguar më parë. Bimët narkotike të asgjësuara nga policia arrinin në lartësinë 180-220 cm dhe sipas policisë, ishte mbjellë në kopshtet dhe ambientet rreth shtëpive të banimit.                               p.n/t.s

Rrëfen polici: Na qëlluan, por ne nuk reaguam

TIRANE - Forcat e repartit RENEA dhe reparti FNSH 712, korrin mes krismave dhe të shtënave me armë hashashin e mbjellë në Lazarat. Policia është qëlluar me armë ndërsa ata nuk janë kundërpërgjigjur provokimeve të banorëve, duke vijuar korrjen e marijuanës. Rezultati ka qenë befasues, pasi që prej orës 04:00 të mëngjesit deri pasditen e djeshme efektivët e forcave speciale kanë mundur të korrin dhe të asgjësojnë më tepër se 8 mijë rrënjë kanabis në zonën e fshatrave të Kordhocës dhe të Jorgucatit. Gjatë tetë orëve të aksionit të kryer nga rreth 100 efektivë të forcave speciale RENEA dhe FNSH 712, forcat e rendit vepruan në presionin e goditjeve dhe provokimeve me armë nga banorët e fshatit Lazarat. Veç forcave speciale në operacion kanë marrë pjesë edhe efektivë të antidrogës së Gjirokastrës. Fillimisht operacioni është lokalizuar në pesë shtëpi, sipas informacionit të policisë lokale, por më pas ndërhyrja e RENEA-s ka vijuar shtëpi më shtëpi në gjithë zonën. Një prej efektivëve të policisë që ka mbikëqyrur të gjithë operacionin, ka pohuar se mjetet e RENEA-s dhe të repartit 712, kanë hyrë në fshat në orën 04:00 të mëngjesit. Në lëvizje fillimisht janë vënë mjetet e blinduara të ndjekura më pas edhe nga mjetet e FNSH-së. Fillimisht efektivët e RENEA-s kanë rrethuar disa shtëpi në fshatin Kordhocë, ku policia ka hyrë dhe ka korrur thuajse në të gjitha shtëpitë kanabis. Sipas punonjësit të policisë lokale që ka treguar dje për gazetën si u përballën me plumbat forcat e rendit, pasi kontrollonte banesat, RENEA i linte radhën e veprimit repartit FNSH. Këta efektiva kryenin korrjen e kanabisit të mbjellë përmes hardhive të rrushit, rrëzë pemëve dhe pranë mureve. Pasi bima korrej nga efektivët e FNSH-së, ekspertët dhe një prokuror mbërrinin për të kryer këqyrjen si dhe administrimin e provave, si fotografi dhe filmime. Në fund bima digjej prej efektivëve të policisë. Sipas tij, e njëjta skemë është përdorur nga policia në të gjitha rastet e zbulimit dhe të evidentimit të bimës. Qetësia ka zgjatur sipas efektivit blu deri rreth orës 08:00 të mëngjesit, kur në Lazarat kishte më tepër se tetë orë që digjej hashashi. Blutë kanë dëgjuar krisma armësh që fillimisht kanë qenë të pakta dhe në ajër. "Më vonë ato kanë nisur të përsëriten e veç kësaj, ato janë drejtuar në ato vende ku efektivët e RENEA-s kanë qenë të stacionuar", tregon efektivi blu. Në disa raste sipas të njëjtit burim, objektiv i të shtënave që vinin nga fshati kanë qenë edhe snajperët e forcave speciale dhe mjetet e blinduara. "RENEA ishte stacionuar në dy pika hyrëse dhe dalëse të fshatit dhe ato vazhdimisht janë qëlluar nga fshati", thotë njeriu që thuajse mban mend gjithçka që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm efektivët e RENEA-s dhe të repartit të FNSH-së 712, kanë qenë të mbrojtur mirë falë masave speciale të marra prej tyre. Këta të fundit në asnjë rast nuk kanë reaguar pavarësisht se kanë qenë të rrezikuar. Rreth orës 13:00, autokolona e RENEA-s, FNSH-së dhe policisë lokale janë larguar duke lënë pas 8100 rrënjë kanabis të djegur, fryt i një viti punë të fermerëve të fshatit.            d.b

Aliko: Qëlluan persona,  që kanë shkelur ligjin

GJIROKASTER - Kryetari i komunës së Lazaratitk Dashnor Aliko, përshëndeti aksionin e djeshëm të policisë për asgjësimin e bimëve narkotike në parcelat e mbjella me kanabis. Titullari i pushtetit lokal të zonës, ka shtuar në deklaratën e tij se krismat e armëve të dëgjuara në fillim të operacionit të policisë, kanë për autorë persona që kanë shkelur ligjin, të cilët duhet të ndëshkohen së bashku me kultivuesit nga drejtësia shqiptare. Aliko theksoi se, të shtënat e armëve kanë qenë në ajër dhe ato nuk kanë qenë rrezik për policinë, e cila ka mbështetjen e pushtetit lokal në aksionet e saj për vendosjen e ligjit. Megjithatë efektivat që morën pjesë në aksionin e djeshëm janë shprehur se, të shtënat me armë kanë qenë të konsiderueshme dhe predhat e armëve kanë mbërritur deri në blindat e forcave të rendit dhe fare pranë vendqëndrimeve të uniformave blu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›