E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiti rojen e karburantit, arrestohet 22-vjeçari

ELBASAN- Grabiti me armë rojen e karburantit, arrestohet 22-vjeçari nga Peqini. Sektori kundër krimeve të rënda, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, ka munduar të identifikojë e të vërë në pranga Belino Kasën, 22 vjeç, me banim në lagjen “Çezme” Peqin, pasi akuzohet për vjedhje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje. Sipas burimeve të drejtorisë së policisë së Elbasanit ky shtetas akuzohet se më 5 tetor 2010, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, nën kërcënimin e një arme zjarri tip pistoletë, kanë vjedhur rreth 150 000 leke të vjetra si dhe 2 telefona celular të tipit Nokia shtetasit G. Hushi 26 vjeç, banues në lagjen “Vullnetari”, i cili ishte roje në pikën e karburantit ELDA, në lagjen “28 Nëntori” Elbasan. Pas grabitjes autorët janë larguar me shpejtësi. Pas një punë hetimore disamujore struktura përkatëse ka mundur të identifikojë dhe të kapë autorin dhe është në kërkim të bashkëpunëtorit të tij. Çështja po ndiqet nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka ngritur ndaj 22-vjeçarit akuzën e “Vjedhjes me arme e kryer në bashkëpunim, mbajtje pa leje e armëve dhe të municionit”. Gjatë këtij viti Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan, përmes masave të marra ka kërkuar nga strukturat vartëse të saj punë intensive dhe të pandërprerë në lidhje me zbulimin e dokumentimin ligjor të ngjarjeve të ndodhura e sidomos atyre në fushën penale të vjedhjes dhe krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›