Nafta virxhin, gjykata liron 6 shoferët
Tiranë- Dy muaj pas arrestimeve të bujshme të të dyshuarve për skandalin e naftës virxhin, Gjykata e Tiranës liron 6 nga 12 të akuzuarit si të përfshirë në këtë aferë. Të gjashtë personat, shoferë dhe punonjës të kompanisë “Fisheku” dhe “Euroil”, kanë kërkuar ndryshimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, edhe pse pak kohë më parë Gjykata e Apelit kishte vendosur t’i linte ata në qeli. Paraditen e djeshme, Fadil Abdurramani, Reshat Aleksi, Genci Prence, Vladimir Koteci, Flamur Merkaj dhe Kadri Hajredini dolën para gjyqtares Blerina Muça, ku kërkuan revokimin e vendimit, që kjo gjyqtare kishte dhënë ndaj tyre më 13 mars, kur u kryen edhe arrestimet. Gjatë seancës së djeshme, avokati i gjashtë shoferëve të arrestuar, Leonard Gremi, tha se klientët e tij nuk kishin lidhje me kontrabandën e naftës virxhin, pasi të arrestuarit ishin thjesht shoferë të boteve që kryenin transportin e naftës nga Ballshi. Më pas, seanca gjyqësore vijon me dyer të mbyllura, ku të arrestuarit paraqitën argumentet e tyre, përse nuk duhet të ishin në qeli, pasi pozicioni i tyre i punës nuk i lejonte ata të ishin pjesë e skemës mashtruese me naftën virxhin. Në përfundim të seancës gjyqësore, me objekt revokimin e vendimit për caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, gjyqtarja Blerina Muça vendosi të lirojë 6 shoferët. Burime të rezervuara thanë se lirimi i tyre ka ardhur pas deklarimeve që ata kanë dhënë, duke treguar edhe punën që kanë kryer përgjatë viteve 2008-2009, kur dyshohet se është kryer edhe kontrabanda e naftës “virxhin”. Mbeten ende të paqarta deklarimet e shoferëve, por konfirmohet se ata kanë mohuar përgjegjësinë e tyre lidhur me këtë çështje. Me vendimin e djeshëm, gjykata e çon në 8 numrin e personave të liruar, pasi pak kohë më parë Gjykata e Apelit u dha lirinë dy biznesmenëve, Bajram dhe Martin Fisheku. Vendimi i Apelit la në qeli shoferët, por edhe dy biznesmenët e akuzuar për rol kryesor në këtë skemë mashtrimi, Hajri Elezaj dhe Ilas Fisheku. Në qeli gjithashtu mbetën edhe dy zyrtarët, inspektori i Tatimeve Dashamir Kasaj dhe doganieri Edmond Ferraj, të cilët sipas prokurorisë, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke favorizuar të akuzuarit për mashtrim me naftën virxhin. Vendimi i Gjykatës së Apelit u ankimua në Gjykatën e Lartë nga biznesmeni Hajri Elezaj, i cili kërkon lirinë duke argumentuar se qëndrimi në qeli mund t’i rrezikojë jetën për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Kjo kërkesë nuk është shqyrtuar ende nga Gjykata e Lartë, e cila pritet të shpallë vendimin brenda kësaj jave.