Kapen dy adoleshentët, kishin vjedhur regjistrat e shkollës
FIER- Dy 15-vjeçarë janë arrestuar nga sektori i Hetimit dhe Parandalimit të Krimit në Drejtorinë e policisë qarku Fier. Ndërsa një adoleshent 14-vjeçar po procedohet në gjendje të lirë. A.M. 15 vjeç, banues në qytetin Fier dhe E.M. 15 vjeç, banues në këtë qytet, janë arrestuar në orët e mbrëmjes së djeshme Ndaj tyre rëndon akuza e “Vjedhjes në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 134 dhe 25 të Kodit penal. Ata dyshohen se kanë vjedhur 5 regjistra të shkollës nëntëvjeçare “Kristaq Shtëmbari” në qytetin Fier, regjistra të cilëve më pas i kanë vënë edhe zjarrin duke i djegur plotësisht.
Ngjarja
Sipas burimeve nga policia fierake, mësohet se adoleshentët janë nxënës të kësaj shkolle. Duke parë se nuk kishin kalueshmëri në disa lëndë dhe përballë notave negative që i cilësonin ata ngelës për këtë vit mësimor, ata gjetën si rrugën më të shkurtër asgjësimin e regjistrave, ku ishte e shënuar vijueshmëria dhe kalueshmëria e tyre gjatë gjithë procesit mësimor vjetor. Me këtë mendim adoleshentët zgjodhën orët e vona të mbrëmjes së një dite më parë. Ata hynë forcërisht në ambientet e shkollës. Fillimisht është hapur po forcërisht dera e zyrës së nëndrejtorisë së shkollës, zyra e cila ndodhet në katin e dytë të godinës së re të kësaj shkolle nëntëvjeçare. Pasi kanë kontrolluar në këtë zyrë dhe kanë kthyer gjithçka përmbys, nuk kanë arritur të gjejnë regjistrat e kërkuar. Në këto kushte adoleshentët kanë shqyer dyert e drejtorisë së shkollës. Në këtë zyrë ata kanë gjetur regjistrat e kërkuar. Pasi i kanë marrë me vete, janë larguar me shpejtësi dhe më vonë për të humbur gjurmët e tyre i kanë djegur plotësisht këto dokumente të rëndësishme.
Në orët e para të ditës, kur dhe ka filluar procesi i përditshëm mësimor, mësuesit dhe drejtoria e shkollës kanë parë dhe konstatuar dëmet e shkaktuara. Është lajmëruar policia dhe ekspertët përkatës. Këta të fundit pas një pune të mirëfilltë kërkuese dhe operative arritën të identifikonin dhe gjenin autorët e kësaj ngjarjeje. Pasi i kanë marrë në pyetje dhe kanë faktuar dyshimet, sipas policisë autorët janë tre adoleshentët.
Nga ana e kolektivit të mësuesve po bëhet zëvendësimi i gjitha të dhënave të nxënësve të pesë klasave që tashmë nuk kanë regjistrat për procesin e tyre mësimor. Mësues të ndryshëm pohuan se përveç regjistrave këto të dhëna janë mbajtur prej tyre edhe në shkresa të tjera evidentuese dhe këto shkresa evidenca, do të bëjnë të mundur që gjithçka të mos humbas për më shumë se 100 nxënës që vijojnë mësimet në ambientet e kësaj shkolle.