Tritoli në lokal për arsye të konkurrencës
SHKODËR- Konkurrenca mendohet të jetë motivi i vënies së lëndës plasëse në një lokal në lagjen e Shirokës në Shkodër, ndërsa akoma nuk ka asnjë person të ndaluar si i dyshuar për këtë ngjarje. Lënda plasëse është vendosur sapo lokali në breg të liqenit është mbyllur dhe shpërthimi i saj ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ka qenë ora 22.25 e së hënës kur shpërthimi i fuqishëm është dëgjuar në një rreze të madhe, ndërsa lokali në pronësi të shtetasit Jak Brunga, aktualisht emigrant në Itali, por që ishte marrë në përdorim nga Halit Beqiri, banor i Shirokës, është shkatërruar thuajse plotësisht. Nga veprimet hetimore të policisë ka rezultuar se shpërthimi ka ardhur si pasojë e vendosjes së një sasie lëndë plasëse, ku motiv dyshohet të jetë konkurrenca. Policia ka shoqëruar disa persona, por akoma nuk ka të ndaluar. Personi që e kishte në përdorim këtë lokal në zonën turistike të Shirokës nuk ka konflikte me të tjerë, ndërsa mësohet se lokali frekuentohej mjaft dhe kishte çmime konkurruese. D.K.