E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohet shtyrja e afatit për 70 ditë

22/02/2005  Regjistrimi i popullsisë

DURRËS - Afati i përcaktuar nga ligji për përfundimin e identifikimit dhe regjistrimit të popullsisë në Durrës nuk do të mund të zbatohet. Ndonëse një fakt i tillë është bërë publik disa herë nga koordinatori i procesit në bashkinë e Durrësit, problematika është ripërsëritur së fundi në takimin që ka pasur Natasha Paço, zëvendësministre e Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, me punonjësit e gjendjeve civile në nivel prefekture. Ndryshe nga komunat dhe bashkitë e tjera të kësaj prefekture, të cilat deklaruan dje se e kanë përfunduar fazën e

identifikimit dhe regjistrimit, në bashkinë e Durrësit do të kërkohet më shumë kohë. Koordinatori i procesit në këtë bashki, Indrit Puteci, theksoi se 45 grupet e regjistrimit me 105 punonjës kanë punuar me orar të zgjatur, por se për shkak të mbipopullimit të Durrësit kanë dalë edhe shumë vështirësi objektive. Bashkia ka vendosur pesë numra në shërbim të qytetarëve të paregjistruar, ndërkohë që është deklaruar se deri më 28 shkurt nuk do të ketë pushim për asnjë nga punonjësit në terren dhe se regjistrimi do të vazhdojë deri në orët e vona. Por një tjetër pengesë e deklaruar nga Puteci ka qenë pamundësia e operatorëve për të kaluar të gjitha të dhënat në kompjuter. Sipas Putecit, në secilën nga pesë zyrat e gjendjes civile në bashki do të vendoset nga një kompjuter për informatizimin e të dhënave dhe se është e pamundur që në këto mjedise të shtohet numri i kompjuterave për mungesë mjedisi. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në shkeljen e afatit të informatizimit, pasi një operator nuk mund të përballojë më shumë se 500 emra për t’i kaluar në kompjuter, gjë që do të thotë se ky proces informatizimi do të kërkojë së paku 70 ditë. Nga ana tjetër thuhet se kompjuterat ende nuk janë vendosur në zyrat e gjendjeve civile, ku pritet të instalohet edhe programi i miratuar në qeveri për informatizimin e gjendjeve civile. Zëvendësministrja Paço kërkoi që për bashkinë e Durrësit të shtohet numri i operatorëve dhe se ata për mungesë të mjediseve do të duhet të punojnë me dy turne.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›