E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja e bankës në Fier, shoqërohen 18 persona

Policia e Fierit ka shoqëruar të paktën 18 persona, për grabitjen e armatosur në degën e "Raiffeissen Bank", por ngjarja vazhdon të mbetet ende pa autor.

Burime pranë uniformave blu të Fierit, konfirmojnë për "Ora News", se shumica e personave të shoqëruar në komisariat për ngjarjen në fjalë janë të rinj.

Në qendër të hetimeve janë personat me precedentë, penalë, për vepra të ngjashme.

Për hetimin e Policisë po përdoren edhe pamjet e marra nga brenda bankës, në momentin e grabitjes.

Burimet, theksojnë se me kujdes të veçantë po shihen pamjet e filmuara nga kamerat e sistemit të sigurisë.

Ndërkohë për të krijuar identikidin e grabitësit, specialistët e policisë së Fierit kanë marrë në pyetje, punonjësit e bankës, dhe personat e tjerë që janë gjendur aty pranë.

Policia ka treguar gjithashtu se sipas disa dëshmive të veçanta që ka arritur të kapë, personi ishte rreth moshës 30 -35 vjeç, ndërsa gjuha e folur ishte e pastër shqipe.

Dega e bankës "Raiffaissen" u grabit me armë rreth orës 11:10 minuta të së premtes, nga një person i armatosur. Nën kërcënimin e armëve, autori i grabitjes, arriti të marrë një sasi të konsiderueshme, parash dhe u largua.

E gjithë ngjarja është zhvilluar në harkun e tre minutave, ndërsa grabitja u favorizua nga mungesa e klientëve në ambientet e bankës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›