E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot Estoni-Shqipëri, Kombëtarja në fushë me një sulmues

TIRANE- Kombëtarja shqiptare do të luajë sot në mbrëmje ndeshjen e fundit për vitin 2009, miqësoren ndaj Estonisë. Takimi që do të zhvillohet në Talin do t'u japë mundësi disa të rinjve të tregojnë veten në kuadër të edicionit të ri që starton në shtator të vitit të ardhshëm. Shqipëria që do të zbresë në fushë ndaj Estonisë do të jetë e gjitha eksperimentale, megjithëse për trajnerin Josip Kuzhe rezultati ka një vlerë të veçantë edhe në këtë takim.

Kombëtarja do të jetë Me Hidin në portë, Dallkun, Canën, Currin dhe Agollin në mbrojtje, Duro si organizator, ndërsa Lika, Bakaj, Skela dhe Hyka luajnë para tij. Në sulm, i vetëm është Hamdi Salihi.

Trajneri Josip Kuzhe ka deklaruar se pavarësisht skemës, skuadra ka orientime të dukshme drejt sulmit, duke qenë se disa lojtarë si Bakaj, Hyka apo Skela, mendojnë shumë të shënojnë.

Sfida do të luhet në kushte të vështira atmosferike, teksa punëtorët e stadiumit edhe dje kanë punuar për të pastruar dëborën e rënë në të. Temperaturat këto ditë në Talin kanë qenë nga -2 deri në -5 gradë, ç'ka e ka kushtëzuar kombëtaren edhe në përgatitjet e saj.

Të premten, skuadra kuqezi ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore, atë të pasdites në aneksin e stadiumit ku do të luhet ndeshja. Kuzhe, për faqen zyrtare të FSHF deklaroi se kjo ndeshje është fillimi i sezonit të ri.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›