E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e bizhuterive, dënime për blerësit e arit të vjedhur

Tiranë- Pas rritjes së grabitjeve në kryeqytet, policia ka ndërmarrë një aksion dhe ka vënë sot në pranga 3 persona që vidhnin varëse floriri dhe çanta.

Gjithashtu kanë nisur kontrollet edhe në argjendari për të parë nëse blihen sende floriri të vjedhura, dhe sipas Policisë së Shtetit do të ketë dënime për të gjithë ata argjendarë që blejnë materiale të vjedhura.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, polica sqaron se çdo tregtar duhet të ketë dokumentacionin përkatës për bizhuteritë që shet, në të kundërt ai do të përballet me ligjin.

Janë ndërmarrë një sërë masash me qëllim parandalimin dhe zbulimin e ngjarjeve të rënda të vjedhjeve me dhunë, goditjen e aktivitetit të paligjshëm në fushën e tregtimit, transportimit dhe ruajtjes e depozitimit të artikujve të floririt, si dhe sekuestrimin e mallrave kontrabandë e ushtrimin e ndjekjes penale ndaj të gjithë atyre që ushtrojnë aktivitet të paligjshëm të tregtimit të floririt. Në këtë kontekst janë kryer një sërë kontrollesh në njësitë e tregtimit të artikujve të floririt. Këto kontrolle do të vijojnë me intensitet, duke sekuestruar të gjithë sasinë e artikujve të floririt që nuk shoqërohet me dokumentacionin përkatës dhe proceduar të gjithë personat që do të rezultojnë me shkelje,- thuhet në deklaratën e policisë.

Aksione kundër vjedhjes së bizhuterive janë zhvilluar në të gjithë vendin, dhe janë vënë në pranga brenda javës që shkoi 89 persona. Vetëm pak ditë më parë një grua u vra dhe motra e saj u plagos tek ish- Fusha e Aviacionit në Tiranë, pasi u sulmuan me thikë nga dy persona të cilët i morën varësen e floririt që viktima mbante në qafë.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›