Mungon avokati, shtyhet procesi ndaj Bandës së Cërrikut
Tiranë - Procesi gjyqësor në ngarkim të nëntë të pandehurve të akuzuar si shkaktarë të masakrës së Cërrikut ka dështuar sërish. Shkak është bërë mungesa e një prej avokatëve mbrojtës si dhe një prej të pandehurve. Avokati i të pandehurit paraqiti si justifikim arsyet shëndetësore të klientit të tij. Të pandehurit e Bandës së Cërrikut janë cilësuar Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi. Ata akuzohen nga Prokuroria për Krime të Rënda si autorë të masakrës së Cërrikut, ngjarje e ndodhur më 23 mars të vitit 1997, në të cilën mbetën të vrarë 6 gardistë ndërsa u plagosën 9 punonjës policie.
Minat me celular, të pandehurit kërkojnë gjykim të shkurtuar
Tiranë - Të dyshuarit si anëtarë të një rrjeti të trafikut të minave me celular i kërkuan dje gjykatës gjykim të shkurtuar duke pranuar aktet e hetimit në gjendjen që ishin. Kolegji Penal vendosi të shprehej seancën e ardhshme mbi kërkesën e të pandehurve Glerjan Hyseni, Shkëlqim Gjoka, Adrian Moçka dhe Hysen Hyka. Gjatë hetimeve, prokuroria ka zbuluar se minat që aktivizoheshin nëpërmjet një celulari prodhoheshin nga i pandehuri Hysen Hyka, në kryeqytet, ndërsa tre të pandehurit e tjerë merreshin me trafikimin e tyre. Kërkesa për gjykim u dorëzua vetëm pak ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se të pandehurit Glerjan Hyseni, Shkëlqim Gjoka e Adrian Moçka kanë trafikuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin 9 mina me lëndë plasëse (tritol), ku aktivizimi i kësaj lënde bëhej me anë të një celulari të instaluar në to. Këto mina me lëndë plasëse (bomba) janë prodhuar nga i pandehuri Hysen Hyka me banim në Tiranë dhe në vijim janë trafikuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin prej të pandehurve Glerjan Hyseni, Shkëlqim Gjoka e Adrian Moçka. Këto sasi lëndësh plasëse janë sekuestruar më datën 20.03.2008, në fshatin Rrushbull të Rrethit të Durrësit, në autoservisin pronë e të pandehurit Glerjan, ku dhe janë arrestuar në flagrancë të pandehurit Glerjan Hyseni, Shkëlqim Gjoka e Adrian Moçka dhe më pas në Tiranë edhe i pandehuri Hysen Hyka.
29 Tetor 2008