E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja ndëshkon gjyqtarët që favorizuan Delijorgjin



Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë ndëshkon me përjashtim nga togat e zeza tre gjyqtarët që mendohet se kanë favorizuar Mihal Delijorgjin. Burime zyrtare pranë këtij këshilli shpjeguan se vendimi është marrë dje nga anëtarët pas masës së propozuar nga ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj. Për të tre këta gjyqtarë u nis inspektimi nga Inspektorati i KLD-së mbi vendimin e marrë në dhjetor të vitit 2007. Gjatë mbledhjes së kaluar të KLD-së është lajmëruar nisja e një procedimi disiplinor për rreth 12 gjyqtarë të gjykatave të ndryshme në vend, të akuzuar se kanë abuzuar me detyrën. Nga kontrolli i Inspektoratit të Lartë të KLD-së janë gjetur shkelje në dosjet që këta gjyqtarë kanë gjykuar. Gjyqtarët e tjerë, të cilët do të merren në shqyrtim, janë të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore Sarandë, Elbasan, si dhe të Gjykatave të Apelit Tiranë, Vlorë, si dhe të Apelit Ushtarak. Mes gjyqtarëve që do të procedohen nga KLD-ja janë edhe tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak, të cilët në 2005-n liruan nga akuzat Mihal Delijorgjin, biznesmenin e arrestuar si një nga përgjegjësit kryesorë për tragjedinë e Gërdecit. Gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naim Pejo do të procedohen për vendimin e datës 17 dhjetor 2007, ku administratori i shoqërisë “Përparimi sh.a” i shpëtoi akuzës së kontrabandës me mallra të tjerë.

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›