Lohan: “Ruani balancën që kërkon pushteti gjyqësor”
Laureta Rryçi
Tiranë - Qeveria nuk do të tërheqë asnjë nga shtatë projektligjet e saj për reformën në drejtësi. Pikërisht ministri i Drejtësisë, Enkeled Alibeaj, deklaroi se shtatë projektligjet, një pjesë e të cilëve janë miratuar dhe një pjesë pritet të shkojë shumë shpejt në Kuvend, do të jenë ashtu siç janë hartuar. Ndërkohë që pikërisht për këtë çështje përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë ka kërkuar ruajtjen e balancave në pushtetin e gjyqësorit duke preferuar të mos flasë më në detaje për këtë çështje. Vetëm dy ditë më parë, Shoqata e Prokurorëve, avokatët dhe noterët, në një rezolutë të përbashkët i bënë apel qeverisë të tërheqë shtatë projektligjet që sipas tyre cenojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Ministri i Drejtësisë ishte dje i ftuar në fillimin e një projekti binjakëzimi për proceset gjyqësore për çështjet tregtare. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan.
Reagimi
Shefi i dikasterit të Drejtësisë argumentoi se për shtatë projektligjet për disa muaj me radhë ka pasur konsultime me të gjitha grupet e interesit dhe se “Pakënaqësitë do të kalojnë me kohën, por duhet pasur parasysh fakti se një reformë e suksesshme në drejtësi ka kosto dhe sakrifica, të cilat duhet të mbahen mbi shpatulla nga disa individë apo institucione”, - tha Alibeaj. Interesimit të mediave, gjatë takimit të përbashkët me ambasadorin e KE-së, Helmut Lohan, ministri Alibeaj u është përgjigjur edhe lidhur me çështjen e imunitetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjit për organizimin e gjyqësorit, ministri Alibeaj tha: “Politikisht dhe juridikisht nuk mund të ekzistojë imuniteti për prokurorë dhe gjyqtarë. Vetëm Kuvendi duhet të marrë nisma për të kufizuar, hequr apo jo imunitetin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve”. Nga ana e tij, ambasadori i Komisionit Europian nuk pranoi të komentojë për gazetarët përplasjen e fundit mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë duke këshilluar gazetarët që të presin raportin që do të publikohet nga KE më 5 nëntor.
Qëndrimi
Ambasadori Lohan theksoi: “Sistemi i Drejtësisë funksionon në bazë të dy parimeve: në përgjegjshmërinë përpara ligjit dhe në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë nga ana e ndikimeve politike. Ne shqetësohemi në rast se ky ekuilibër ndërmjet përgjegjësisë dhe pavarësisë do të prishet”. Më tej, ministri Alibeaj dhe Lohan kanë vijuar diskutimin e tyre mbi çështjet tregtare për të cilat ishte organizuar dhe takimi djeshëm. Aktualisht, projekti është në fazën e dhënies se rekomandimeve konkrete, ai ka si qëllim përmirësimin e sistemit gjyqësor vendas për çështjet tregtare. Financimi i tij, 1 milion Euro, mundësohet nga Bashkimi Europian brenda kuadrit të programit CARDS 2004. Implementimi i projektit ka filluar më 1 tetor 2007 dhe do të përfundojë më 31 mars 2009. Gerald Colledani, drejtues i projektit, prezantoi rekomandimet kryesore përsa i përket kuadrit ligjor shqiptar në fushën tregtare.
a
29 Tetor 2008