Vlorë, studenti i Arteve rreh për vdekje të atin
Studenti i Akademisë së Arteve rreh për vdekje të atin 53-vjeçar. Arben Abazi, 24 vjeç kishte shkuar për pushimet e fundvitit në qytetin e lindjes, por një sherr në familje ka sjellë dhe degradimin e situatës deri në masakrim me mjete të forta të kryefamiljarit. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:30 të ditës së djeshme, në lagjen “28 nëntori” të qytetit të Vlorës. Nga burime të policisë dhe dëshmitarët pohohet se i riu, pas grindjes brenda shtëpisë e ka tërhequr të atin zvarrë në rrugë e aty ka nisur ta qëllojë me një limë hekuri. Ai e ka goditur disa herë në kokë e pjesë të ndryshme të trupit, duke e lënë në gjendje të rëndë. Kanë qenë thirrjet për ndihmë të të lënduarit Petrit Abazi që kanë afruar aty komshinj të familjes Abazi, të cilët fillimisht kanë hezituar të afrohen, por më tej kur kanë parë se dolën shumë banorë djali ka hedhur në shesh limën. Abazi është transportuar në gjendje të rëndë me urgjencë për në spitalin e Vlorës, ku sipas mjekëve ende po lufton me vdekjen, si pasojë e goditjeve të marra në kokë, sy, grykë e pjesë të tjera të trupit. Ndërsa policia ka ndaluar autorin e ngjarjes. Sipas komshinjve të Abazajve, familja në fjalë ka pasur konflikte të brendshme, pasi bashkëshortët ziheshin shpesh me njëri-tjetrin. Me ta jetonte vetëm djali i madh, pasi autori prej vitesh ndodhej në Tiranë, për shkak të studimeve në muzikë. Prej pak ditësh 24-vjeçari mësohet se ishte kthyer në Vlorë për të qëndruar për festat e fundvitit. Banorët e zonës kanë treguar se ata e kishin parë djalin ditët e fundit në gjendje të mbyllur, nuk fliste me njeri. Për policinë, sherri mes prindërve ka shkaktuar depresionin tek autori e më pas e ka çuar atë drejt goditjes së të atit, duke i provokuar për pak vdekjen. Një dëshmitar në vendngjarje u shpreh se fillimisht autori e ka ngjeshur pas murit të atin e i mbante në grykë limën. Pas kësaj ai ka nisur ta qëllojë, ndërkohë që nuk fliste asnjë fjalë. E ka qëlluar disa herë pa ndalim dhe më pas e ka lënë përtokë. është larguar pak momente dhe ka nisur ta qëllojë sërish, por një moment ka hedhur tej limën. Autori është larguar nga vendi i ngjarjes, por më pas është kapur nga policia në afërsi të lagjes së tij. I njëjti dëshmitar thotë se bashkëshortët Abazaj nuk shkonin mirë me njëri-tjetrin dhe shpeshherë kishte debate dhe sherre brenda familjes. Policia në vendngjarje ka nisur kryerjen e ekspertizës dhe marrjen e provave materiale, ndërkohë që inspektorët kanë marrë në pyetje 24-vjeçarin, që është çuar në dhomat e paraburgimit. q.b