Grabitja prej 5 milionësh, në pranga i dyti
OPERACIONI
LEZHË - Ka rënë në prangat e policisë edhe personi i dytë i akuzuar nga policia si ekzekutor i grabitjes me maska nën kërcënimin e armëve të punonjësve të postës në qytetin e Lezhës.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë ka kurorëzuar me sukses fazën e dytë të operacionit policor "Vodafoni", si pasojë e të cilit u bë e mundur arrestimi i njërit nga ekzekutorët e vjedhjes me armë të ndodhur me datën 12 mars 2009 në bulevardin në qytetin e Lezhës. Blutë arritën të kapnin Enver Sali Divën, 30 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras, i dënuar tre herë më parë.
Ai kishte dalë para pak muajsh nga burgu, pasi kishte vuajtur një dënim 12-vjeçar po për veprën penale të vjedhjes me armë. Sipas policisë, ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit Elton (Gjergj) Gjini, i arrestuar më parë nga ana e policisë dhe shtetasin Florind Luk Marku i shpallur në kërkim, janë autorë të vjedhjes me armë. Burime të policisë shprehen se vazhdon puna për përmbylljen me sukses të këtij operacioni deri në kapjen e shtetasit Florind Marku.
Por sipas disa informacioneve dyshohet se në grabitjen e 5 milionë lekëve janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Personat e lartpërmendur grabitën rreth orës 10:20 të datës 12 mars punonjësit e postës së filialit Lezhë, menjëherë sapo ata kishin tërhequr shumën prej 5 milionë lekësh nga sportelet e bankës.
Personat e akuzuar për këtë grabitje, nën kërcënimin e armëve, u larguan nga vendngjarja me një makinë e cila u gjet e djegur pranë fshatit Tresh të Lezhës.