Aksidentohen, nën akuzë për trafik armësh
Tre shtetas janë ndaluar nga policia, ndërsa dy prej tyre akuzohen për trafikim
SHKODËR - Ndalohen nën akuzën e trafikut të armëve dy persona, të cilët dje pësuan një aksident pak pasi kishin kaluar pikën kufitare të Morinës. Ngjarja ndodhi duke u gdhirë dita e martë në aksin Kukës-Pukë, në vendin e quajtur Qafë-Shllak. Policia ka ndaluar Ylli Bardhin nga Librazhdi dhe Klajdi Kastriotin nga Gramshi për armët e gjetura, ndërsa ndaloi edhe Bardhyl Meçen nën akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Aksidenti
Lagështira dhe temperaturat e ulëta duket se kanë ndikuar në daljen nga rruga të një autoveture, e cila ka rënë rreth 150 m poshtë duke shkaktuar tre të plagosur. Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00 të ditës së martë në aksin rrugor Kukës-Pukë, në vendin e quajtur Qafë-Shllak.
Automjeti tip "Benz" me targë TR 8036 J me drejtues 44-vjeçarin Bardhyl Meçe nga Librazhdi, ka dalë nga rruga. Drejtuesi i mjetit dhe dy persona që ndodheshin në të janë dëmtuar dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Policia e Pukës, e cila po merret me zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa nga të tjerë drejtues mjetesh që lëvizin në këtë aks mësohet se aty ka pasur mjaft mjegull dhe lagështirë.
Armët
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, afër mjetit të rrëzuar janë gjetur 5 armë zjarri pistoletë tip "Zastava" të paketuara. Menjëherë policia ka vënë në dijeni ekspertët e antitrafikut dhe nga hetimet e bëra ka rezultuar se tre të dëmtuarit kishin kaluar një ditë më parë nga Shqipëria në Maqedoni përmes pikëkalimit kufitar të Kapshticës dhe në orën 00:00 kishin hyrë në Shqipëri nga Morina.
Sipas policisë, po hetohet lidhur me këtë fakt, ndërsa në Spitalin Ushtarak ku dhe ndodhen, tre shtetasit që ndodheshin në mjet janë vënë nën arrest.Mësohet se drejtuesi i mjetit është ndaluar për aksidentin e ndodhur, ndërsa dy personat e tjerë, Ylli Bardhi, 30 vjeç, nga Librazhdi dhe Klajdi Kastrioti, 40 vjeç, nga Gramshi, janë ndaluar për trafik armësh.
Policia thekson se, ndonëse armët janë gjetur jashtë mjetit, në një hon të tillë nuk ekziston mundësia që ato të mos kenë qenë në mjet. Në hetim janë përfshirë dhe agjentë të antitrafikut të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.