Baltë e llucë për të nxënë dijen
INFRASTRUKTURA/ Drejtori i shkollës "Ibrahim Kushta" thotë se prindërit kanë kërcënuar të mos i çojnë më fëmijët në shkollë
VLORË - Rruga e keqe që iu duhet të përshkojnë për të shkuar në shkollë, bën që shumë nxënës të shkollës "Ibrahim Kushta" në ditë me mot të keq, të mos e mendojnë orën e mësimit. Kjo pasi për të shkuar në shkollë ata më parë duhet të kalojnë mbi baltën disashtresore që ka mbuluar rrugën, çka është thuajse e pamundur.
Nga rruga, e cila është e vetmja që mund të kalohet për te shkollat 9-vjeçare, shkolla e mesme dhe kopshti (që në total shkon rreth 1000 fëmijë), tashmë nuk ka mbetur asgjë që të japë idenë se është e tillë. Këtu baltrat e pazakonta për lagje të tjera janë thuajse të përditshme, madje edhe në kohë me diell.
Disa nxënës të shkollës 9-vjeçare "Ibrahim Kushta" shprehen se "na duhet t'i zhytim komplet këmbët në baltë e llucë për të ardhur të bëjmë më pas mësim këtu në shkollën tonë". Sipas tyre, kur koha është me shi, rruga bëhet e pakalueshme.
Një prej nxënësve të klasës së dytë thotë se gropat nuk i shohin dot dhe më pas u duhet të rrinë 6 orë mësimi me këmbët e pantallonat e lagura, duke rrezikuar edhe të ftohen.
Në mbështetje të nxënësve, drejtori i shkollës "Ibrahim Kushta", Myrdar Hoxha, shprehet se ka bërë takime disa herë me drejtuesit e drejtorisë arsimore, si dhe me prefektin e qarkut Vlorë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë ndryshim.
"Pavarësisht se nga të dy këto institucione mua, si dhe nxënësve të shkollës sime na është premtuar se brenda muajit mars gjendja e rrugës, si dhe e hekurishteve rreth territorit të shkollës do të sistemoheshin, jemi në fund të marsit dhe, siç shihet, këtu asgjë nuk ka ndryshuar.
Balta po pushton dita-ditës rrugën ose më saktë atë pjesë që ka mbetur nga e aushtuquajtura rrugë, si dhe hekurishtet po na zënë dhe derën e shkollës.
Unë së bashku me bordin drejtues të prindërve pas një mbledhjeje që kemi bërë këto ditë në ambientet e shkollës i kemi kërkuar drejtorisë arsimore, prefektit të qarkut, si dhe Bashkisë Vlorë për të ndërhyrë e kthyer rrugën në gjëndjen e mëparshmë në në një kohë sa më të shpejtë, ose në të kundërt, prindërit janë shprehur se nuk do t'i dërgojnë më fëmijët në shkollë".
Nga ana tjetër, rezulton se në buxhetin e bashkisë për 2009-n, nuk është parashikuar asgjë për këtë rrugë, ndërsa i pyetur për këtë fakt, nënkryetari i bashkisë së Vlorës nuk dha asnjë përgjigje.