E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, kandidatëve për studentë u prezantohet sot formulari A2

MASH publikon sot formularin A2. Përfshihen 10 preferenca dhe plotësimi i tij do të bëhet deri në qershor


TIRANË - Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të publikojë sot formularin A2, përmes të cilit maturantët do të aplikojnë për studimet e larta. Njësoj si vitin e kaluar, pranimi në universitete për vitin e ardhshëm akademik do të bazohet në preferencat e maturantëve, të cilat do të listohen sipas rendit zbritës në formularin A2.

Nëpërmjet këtij listimi do të bëhet dhe renditja e fituesve pas mbylljes së procedurës përllogaritëse të komponentëve të maturës së 2009-s. Këtë e bëjnë të ditur grupet e punës në AVA që kanë detajuar këtë formular, të cilët pohojnë se edhe për maturën e këtij viti, plotësimi do të jetë i njëjtë, çka do të thotë se maturantët do të përzgjedhin sërish dhjetë degët më të preferuara sipas një rendi zbritës.

Në fillim të muajit të ardhshëm pritet që ky formular të shpërndahet në shkolla. Në provimet me zgjedhje kanë të drejtën që të përfshihen vetëm ata kandidatë që kanë arritur të marrin nota kaluese në të dy provimet e detyruara.

Ndërsa sa i takon afateve të plotësimit të formularit A2 nga ana e maturantëve do të realizohet gjatë muajit qershor përkundrejt afatit kohor të caktuar. Gara e provimeve për këtë vit përfshin një sërë ndryshimesh për lëndët me zgjedhje, ku është vendosur që për akademitë sportive dhe artistike të mos zhvillohen provimet me zgjedhje.

Kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në këto profile akademike, do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit.

Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këto kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Pjesa tjetër do t'i atribuohet mesatares së shkollës së mesme.

Përjashtim në këtë rast do të bëjë vetëm dega e arkitekturës, e cila do të japë dhe pjesën speciale, por dhe atë të lëndëve me zgjedhje, sepse kërkohet që maturantët që përzgjedhin këtë degë, të kenë aftësi edhe në fusha të tjera, të cilat janë të domosdoshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›