Grabitje me armë ; Maskat grabisin 5 milionë lekë në bankë
Dy persona me maska kanë grabitur nga një filial banke rreth 5 milionë lekë të vjetra në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ndodhi ditën e djeshme në afërsi të stacionit të trenit në kryeqytet. Dëshmitarët shprehen se autorët kanë qenë të armatosur dhe nën kërcënimin e armëve kanë marrë sasinë e parave që ndodhej momentalisht në bankë dhe janë larguar me shpejtësi. Policia ka shkuar në vendngjarje, por pa arritur që të kapë autorët. Sipas burimeve nga policia, rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, dy persona të armatosur janë futur në filialin e “Raiffaisen Bank”, që ndodhet në rrugën “Ferit Xhajko”, pranë ish-restorant “Durrësit”. Ata qenë të armatosur me pistoleta dhe i kanë kërcënuar punonjësit të bankës, që të dorëzojnë të gjithë shumën e lekëve që mbanin në kasafortë. Nëse punonjësit e bankës nuk do të zbatonin ato çka ata u kishin thënë, atëherë grabitësit “ishin të vendosur që të qëllonin për të arritur objektivat e tyre”. Sipas burimeve nga policia, mendohet se dy personat që kryen vjedhjen janë midis moshës 25-30 vjeç. Gjatë paradites, shuma e arkëtuar nga filiali i bankës ishte rreth 5 milionë lekë të vjetra. Punonjësit e saj të frikësuar kanë dorëzuar të gjithë shumën, ndërkohë që më pas me shpejtësi grabitësit e armatosur janë larguar nga vendi i ngjarjes. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila u lajmërua nga personeli. U organizuan forca të shumta, ndërkohë që u ngritën postblloqe gjatë rrugëve kryesore, në përpjekje për të arrestuar dy grabitësit. U ngrit një grup pune për të hetuar në lidhje me këtë grabitje. U krye këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe u morën në pyetje punonjësit që ndodheshin brenda gjatë grabitjes, si dhe dëshmitarë të tjerë që kishin lidhje me ngjarjen. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se në grabitje nuk kanë marrë pjesë vetëm dy personat e maskuar. Ata janë ndihmuar nga të tjerë, të cilët kanë bërë të mundur largimin e tyre, pa u vënë në pranga nga uniformat blu. Policia ka marrë shenjat e lëna nga ata, ndërkohë që po shikohen edhe materialet filmike, nga kamerat e sigurisë. Sipas policisë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy autorëve të grabitjes.