Grabitje me maska në një dyqan AMC-je në Babrru
Hetimet
Dy personat e armatosur arrijnë të marrin 200 mijë lekë dhe zhduken pa lënë gjurmë
Një tjetër grabitje me maska dhe armë ka ndodhur në Tiranë. Këtë herë, hajdutët e dhunshëm janë shpërngulur në një fshat të Tiranës, duke vjedhur me armë një dyqan të AMC-së. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë, kur grabitësit, të cilët mendohet se kanë qenë dy persona, kanë mundur të grabisin 200 mijë lekë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se për këtë ngjarje janë njoftuar rreth orës 17:20 të ditës së shtunë dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e tre komisariateve, të cilat janë përforcuar edhe nga Seksioni Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë. Sipas të dhënave hetimore, grabitja ka ndodhur në dyqanin e 43-vjeçarit Mark çupi. Uniformat blu tregojnë se sapo kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, në qendër të Babrrusë, kanë kontaktuar të dëmtuarin, i cili ka deklaruar se çfarë kishte ndodhur. Ai ka shpjeguar se i kishte telefonuar policisë sapo dy personat ishin larguar nga dyqani i tij. Sipas të dhënave, dy persona të maskuar dhe me armë, duke kërcënuar kishin kërkuar gjithë paratë e dyqanit. Ata kishin ndërhyrë në një moment kur në dyqan nuk kishte klientë. Më pas ata janë larguar me vrap nëpër errësirë. Policia, e nisur nga ky denoncim, ka rrethuar gjithë zonën, duke shoqëruar edhe disa persona të dyshuar, por ende nuk e ka dokumentuar plotësisht këtë ngjarje të rëndë kriminale. Sipas të dhënave policore, e gjithë zona është krehur, ndërkohë që janë shoqëruar edhe persona me precedentë në këtë zonë. Më vonë, oficerët e policisë gjyqësore kanë mbledhur fakte të tjera, duke gjetur disa gjurmë në ambientet e dyqanit të grabitur. Gjithashtu, gjatë marrjes në pyetje të personit të dëmtuar, ai ka treguar edhe veshjen e tyre, si dhe dialektin e përdorur prej grabitësve. Sipas përllogaritjeve, grabitësit mendohet se kanë marrë rreth 200 mijë lekë të reja, si dhe disa karta telefoni. Policia deklaroi dje zyrtarisht se në bashkëpunim edhe me prokurorinë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes kriminale.
#