I dyshuari për masakrën e Durrësit, me precedent në Itali
Hetimet
Vlonjati 35-vjeçar është akuzuar për trafik droge dhe vrasje. U la i lirë pas 5 vjet burg për mungesë provash
I dyshuari kryesor për vrasjen e tre personave në Durrës, 35-vjeçari Arjan çelaj ka pasur precedentë të mëparshëm penal në Itali. Mësohet se çelaj, i cili njihej edhe me emrin Edison, ka qenë i akuzuar në shtetin fqinj për kryerjen e disa veprave penale, mes të cilave trafik droge, prostitucion, vrasjen e një shtetasi italian. Për këto vepra ai kryer 5 vjet burg, por më pas është lënë i lirë për mungesë provash dhe është riatdhesuar. Hetimet vijojnë për zbardhjen e motivit të ngjarjes, ndërkohë që dyshohet se çelaj ka qenë vrasës me pagesë.
Vlonjatin 35-vjeçar, i cili dyshohet të jetë autor i vrasjes së Edmond Shemsit, Luan dhe Andi Currit, e kanë “tradhtuar” gjurmët e gishtave që janë gjetur në motorin që policia gjeti të braktisur një ditë pas vrasjes. Për policinë nuk ka dyshime se motori “Yamaha”, i gjetur në lagjen 16, është mjeti me të cilën ekzekutori u largua menjëherë pas ngjarjes. Në këtë mjet janë gjetur gjurmë të gishtave të 35-vjeçarit vlonjat. Ky i fundit nuk ka dhënë një alibi të saktë se ku ndodhej mbrëmjen e së mërkurës së kaluar, kur ndodhi ngjarja. Ndërkohë, ndaj çelajt janë ngritur akuzat për veprat penale të vrasjes së cilësuar në bashkëpunim dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. Ai akuzohet se ka ekzekutuar mbrëmjen e 27 janarit Luan Currin, 43 vjeç, Ani Currin, 18 vjeç, dhe ndërtuesin Edmond Shemsi 49 vjeç në një lokal në pronësi të Currëve. Ndërsa organi i akuzës së Durrësit vijon hetimet për të zbuluar motivet, ngjarjen që çoi në krimin e rëndë, bashkëpunëtorin dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë hakmarrje të përgjakshme.
#