E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia heton për prishje pazari mes palëve

Autori ka kërkuar tetë milionë lekë për të “larë” turpin që i ishte bërë

“Dua 8 milionë lekë ta mbyllim këtë histori”. Kjo ka qenë kërkesa që Besim Karaj u ka bërë tre vëllezërve Mulliri dhe babait të tyre. I ati i viktimave, Xhevahiri, pohon se Besimi i ka bërë presion se do të hakmerrej ndaj të birit, Taulantit, nëse nuk i jepte lekë. Sipas Mullirit, autori ka bërë tratativa me tre viktimat për t’ju marrë një shumë prej të paktën 8 milionë lekësh të vjetra. “Pazari” është pranuar nga të dyja palët, pas kapjes së Taulantit në flagrancë me gruan e Besimit. Mësohet se vrasësi, i cili merrej me trafik klandestinësh, kishte mundur të grumbullonte një shumë të konsiderueshme parash. Por sipas tij, Taulanti i kishte shpërdoruar paratë e tij, gjatë kohës që ka pasur lidhje jashtëmartesore me të shoqen, Tinën. “Na kërcënonte dhe kërkonte t’i jepnim 8 milionë lekë që të mbyllej hesapi mes nesh”, thotë Xhevahiri. Policia dyshon se kjo mund të ketë qenë një formë gjobëvënieje nga ana e autorit pas zbulimit të tradhtisë bashkëshortore. Mendohet se tre vëllezërit Mulliri, ndonëse mund të kenë rënë dakord me kushtin e vënë, nuk e kanë zbatuar atë. Kjo ka bërë që Besim Karaj t’i kërcënonte dhe më pas t’i ekzekutonte me breshëri automatiku.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›