E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitjet e bankave, siguria e tyre tani me profesionistë

Ndryshon ligji nr. 8770, “Për Shërbimin e Ruajtjes dhe të Sigurisë Fizike”

Grabitja e bankave, një shqetësim evident i policisë, kohët e fundit ka iniciuar ndryshime në ligjin “Për Shërbimin e Ruajtjes dhe të Sigurisë Fizike”. Statistikat kanë treguar se kjo vepër penale ishte mjaft e pranishme. Në kryeqytet u evidentuan 3 grabitje bankash gjatë vitit 2009 dhe një në shkurt të vitit 2010. Jo në pak raste ka pasur edhe grabitje në qytete të tjera të vendit. Specialistët mendojnë se ky është një fenomen i importuar, pra autorët mund të kenë qenë të përfshirë në kryerjen e kësaj vepre penale jashtë Shqipërisë. Fakt është se ata e kanë kryer grabitjen brenda një kohe rekord dhe me një profesionalizëm perfekt, duke mos lënë asnjë gjurmë në vendin e krimit. Ndërsa grabitësit, shumë prej tyre ende autorë anonimë, kanë përsosur metodat e tyre “të punës”, në vendnumëro kanë mbetur shoqëritë private që ruajnë bankat, e më pas akoma duket se është ligji për funksionimin e tyre. Ligji nr. 8770, “Për Shërbimin e Ruajtjes dhe të Sigurisë Fizike”, daton më 19.04.2001, dhe duke iu referuar neneve të tij thuajse 10-vjeçare, specialistët kuptuan se disa prej tyre kanë nevojë për përmirësim apo dhe ndryshim rrënjësor. Policia e Shtetit dhe ekspertët e saj kanë përfunduar draftin, i cili pritet të miratohet së shpejti. Mbi dhjetë ndryshime esenciale do të pësojë ligji ekzistues, ku rëndësi do t’i kushtohet shtrëngimit të dhënies së licencave, detyrimeve që duhet të përmbushin bankat për sistemin e sigurisë, apo detyrave të subjekteve të SHRSF-së në përzgjedhjen dhe trajnimin e personelit. Sipas ekspertëve, ky ligj ka probleme dhe duhet të parashikojë edhe disa pika të tjera, duke filluar nga mënyra e policimit e deri te reagimi ndaj sulmeve të grabitësve. Në fokusin e ndryshimeve janë edhe neni që rregullon marrëdhëniet mes bankave dhe Policisë së Shtetit.

Ndryshimet në ligj

Kur u pa që fenomeni i grabitjeve u shtua dhe metodat e realizimit të tyre nga autorët u përsosën, drejtues të uniformave blu nxitën debatin për të marrë opinionet se ku realisht qëndronte problemi. Përpos të tjerave, specialistët e policisë mendonin se duhet të ndërhyhej në ligj për ta përmirësuar e pasuruar atë, në mënyrë që ai t’i përgjigjet më mirë realitetit.

Në ligjin e hartuar në vitin 2000 dhe miratuar një vit më pas, nuk reflektohej siç duhet përmirësimi i shërbimit që ruan dhe siguron bankat, si dhe bashkëpunimi i tyre me shërbimet e policisë. Ndryshimet në ligjin nr. 8770, datë 19.04.2001, “Për Shërbimin e Ruajtjes dhe të Sigurisë Fizike”, do të nisin me shtimin e kritereve për marrjen e licencës për ato shoqëri që do të operojnë në ruajtjen e bankave. Licenca për këtë shërbim mendohet të jetë specifike. Një nga kriteret bazë për dhënien e saj është përzgjedhje e efektivit mbi përcaktime koncize të moshës. Mendohet të rregullohet edhe mënyra e administrimit të armëve nga personeli që shërben për sigurimin e bankave, pasi shikohet si një nga problemet që duhet të ketë ndryshime në legjislacion. Shumë prej punonjësve të sigurisë në shumë objekte janë në moshë të thyer dhe në shumë raste nuk i përgjigjen dot armës. I detyruar do të jetë për Shoqëritë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike trajnimi i efektivit. Në ligjin ekzistues thuhet se trajnimi i tyre duhet të jetë jo më pak se 15 ditë përpara se ata të marrin lejen e ushtrimit të profesionit. Ky është gjetur si përcaktim i papranueshëm për ekspertët policorë, pasi ky shërbim është i specializuar. Një e metë e ligjit është trajnimi i detyruar jo më pak se pesë ditë në vit për efektivat e SHRSF-ve. Programet e trajnimit të tyre, të përcaktuara këto nga Policia e Shtetit, do të përmirësohen dhe madje do të kërkohet përmbushje e realizimi i tyre rigoroz, pasi nuk do të pajisen me lejen e profesionit efektivat që nuk i përgjigjen përgatitjes së kërkuar. Policia private, që merr në ruajtje bankat, duhet të përmbushë detyrimet për vendosjen e kamerave, mjeteve të ndërlidhjes, apo dhe sinjalet e lajmërimit për përmbushjen sa më të mirë të sigurisë sipas kritereve të përcaktuara rigorozisht. Në rastet e mospërmbushjes së këtyre kërkesave, shoqëritë private të ruajtjes së bankave do të gjobiten, si dhe do të penalizohen, pse jo deri në heqjen e licencës.

Kriteret për bankat

Për bankën, ligji do të përcaktojë qartë që struktura e brendshme e tyre të jetë e njëjtë për të gjitha filialet. Po ashtu do të kërkohet edhe përmbushje e elementëve të sigurisë, si pajisja e sporteleve me xham antiplumb, apo dhe mbyllja automatike e dyerve dhe moshapja e tyre me konstatimin e emergjencës. Planimetria e bankave duhet të jetë e depozituar në selitë qendrore të tyre dhe sapo të ketë një situatë, pra nëse brenda saj ka mbetur një apo disa grabitës, ajo t’u serviret autoriteteve policore, të cilët do ta zgjidhin atë me ndërhyrjen e forcave të specializuara, efektivin e RENEA-s. Në çdo rast, drejtuesit e bankave duhet të kenë bashkëpunim të ngushtë me policinë. Kjo e fundit do të organizojë edhe trajnime me punonjësit e bakës për t’u mësuar atyre sjelljen në rastin e një situate, gjë që nuk parashikohet në ligjin ekzistues. Policia merr masa dhe përcakton detyra konkrete për mbajtjen nën kontroll të bankave dhe filialeve të tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›