Prokuroria e Tiranës, e pafuqishme për të parandaluar vjedhjet
Prokuroria e Tiranës është e pafuqishme për të parandaluar vjedhjet dhe grabitjet me armë, ndërsa problem serioz janë edhe çështjet që marrin pafajësi në gjykatë. Të dhënat kanë dalë nga analiza e djeshme e akuzës së kryeqytetit, ku problem mbeten edhe grabitjet me armë në mes të Tiranës, të cilat ende nuk janë zbardhur, megjithëse janë nisur dhjetëra procedime penale. Në fund, rezultati ka qenë shumë i dobët. Përqindja e zbardhjeve të këtyre ngjarjeve ka qenë shumë e ulët, rreth 10 për qind. Sipas statistikave të akuzës së kryeqytetit, vetëm gjatë vitit që kaloi janë vënë në ndjekje penale të paktën 7286 persona. Ndërkohë, Kryeprokurorja Ina Rama, e cila ka marrë pjesë në analizën e djeshme, tha se puna e gjithsecilit nuk do të matet nga numri i dosjeve që kanë shkuar në gjykatë, por për pafajësitë që janë dhënë kundra tyre.
AnalizaProkuroria e Tiranës, e cila është më e madhja më në fund, ka zhvilluar dje me dyer të mbyllura analizën vjetore. Për të “fshehur” problemet që mbart ky institucion, drejtuesit e akuzës kanë menduar që gazetarët të mos marrin pjesë. Në fillim të analizës ka folur drejtuesi Genti Xholi. Në vlerësimin e organit të akuzës së kryeqytetit, një nga veprat penale që është renditur më problematike gjatë vitit që lamë pas është ajo e vjedhjes me armë. Genti Xholi theksoi në deklaratën e tij se shqetësimi më i madh për organin e akuzës është rritja e numrit të vjedhjeve, por nga ana tjetër në punën e Prokurorisë së Tiranës nuk kanë munguar dhe problemet. Kreu i këtij institucioni u shpreh dje se janë shënuar vonesa serioze në mbylljen e hetimeve. Me gjithë fluksin e ngjarjeve dhe faktit që Tirana është qarku më i madh në vend, prokuroria e kryeqytetit për vitin 2009 ka nisur hetime kryesisht apo me iniciativën e saj vetëm për pesë raste në mbi 7000 dosje të regjistruara në këtë institucion. Të gjitha dosjet e tjera i janë përcjellë të gatshme nga policia, si dhe nga institucione që kanë bërë kallëzime penale për vepra të ndryshme. Në analizë ka marrë pjesë edhe Kryeprokurorja Ina Rama, drejtori i Hetimit dhe Ndjekjes Penale, Sokol Stojani, nëndrejtori i policisë së Tiranës, Artan Cuku dhe kryetari i Gjykatës së Tiranës, Artan Zeneli. Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Xholi, tha se ka një rritje të vjedhjeve me dhunë dhe të veprave kriminale kundër pronës. Pas deklarimit të disa shifrave, mediat nuk janë lejuar, pasi fjalën do e merrte Prokurorja e Përgjithshme.
PafajësiaBurime nga grupi i prokurorëve që mori pjesë në analizën e Prokurorisë së Tiranës thanë se diskutimi më i rëndësishëm ishte për pafajësitë e disa dosjeve në gjykatë. Kryeprokurorja e vuri theksin te ky problem, për të cilin deklaroi se duhet të verifikohen të gjitha çështjet që përfundojnë me pafajësi. Ajo tha se duhet një analizë e hollësishme nga institucionet përkatëse, në këtë rast Prokuroria e Tiranës, dhe të dhënat të referohen në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Më pas, raportet mund të diskutohen ose të rekomandohen masa për prokurorët apo gjyqtarët në fjalë. Kryeprokurorja kërkoi më shumë përgjegjësi për dërgimin e një dosjeje në gjykatë. Ajo tha se puna e gjithsecilit nuk do të matet nga numri i dosjeve që dërgohen për gjykim, por nga numri i dosjeve që kanë marrë pafajësi në gjykatë. Nëse një prokuror ka shumë pafajësi, atëherë puna e tij do të analizohet, dhe nëse ka përgjegjësi, do të merren masa administrative.
#