E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen bombola, plagoset rëndë një grua

Sapo 50-vjeçarja kishte hyrë në banesë, kishte ndezur dritën, por nga rrjedhja e gazit është krijuar shkëndijë

Shpërthimi i një bombole në katin e pestë të një pallati në Tiranë ka sjellë plagosjen e një gruaje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, në një pallat në afërsi të Ambasadës së Rumanisë. Sipas policisë, e plagosura është dërguar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën e parë për djegiet. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e rrjedhjes së gazit. Ndezja e dritës ka bërë që shkëndija elektrike të ndezë dhe sasinë e gazit që kishte dalë jashtë nga bombola. Policia, e cila u njoftua për ngjarjen, shkoi menjëherë në banesën ku ndodhi shpërthimi, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë marrë masat për shmangien e përhapjes së flakëve. Sipas të dhënave të policisë, e plagosura është një grua rreth të 50-ve, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi mbeti e plagosur nga shpërthimi i shkaktuar nga rrjedhja e gazit të sobës së gatimit. Dasha Kolila ka hyrë në shtëpinë e saj në katin e pestë dhe pasi ka hapur dritën, është dëgjuar shpërthimi i fortë. Shkak për këtë është bërë rrjedhja e bombolës së gazit. Nga shpërthimi i gazit janë shkaktuar dëme të shumta jo vetëm në katin e kësaj ndërtese, por janë thyer edhe xhamat e makinave të parkuara poshtë godinës. Specialistë të policisë janë duke hetuar për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, e cila shkaktoi plagosjen e një personi dhe lëndimin e lehtë të një tjetri, të dy banorë të shtëpisë ku ndodhi ngjarja. Kjo nuk është hera e parë që shpërthimi i bombolave të gazit ka sjellë dëme në njerëz. Specialistët shpesh kanë thënë se ato janë me probleme, por nuk mungon edhe argumenti i keqpërdorimit nga ana e njerëzve. Në lidhje me rastin e fundit, ende nuk dihet nëse rrjedhja e gazit ka ardhur nga një gabim njerëzor, apo ndonjë problem tjetër i bombolës së shpërthyer.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›