Kredi me dokumente false, katër të arrestuar në Lezhë
Nuk kanë kthyer lekët e marra hua nga banka me anë të dokumenteve false, ndalohen nga policia. Ka qenë një operacion i policisë së Lezhës, që ka bërë të mundur ndalimin e 32-vjeçares Migena Shema, ish-oficere kredie në bankën “Raifeissen”, 54-vjeçarit Haxhi Haxhia, administrator i firmës “Ulqini sh.p.k.”, që merret me tregtinë e armëve të gjahut; 36-vjeçarit Martin Gjokhilaj, punëtor ndërtimi dhe 54-vjeçarit Nikollë Ndoj, edhe ky punëtor, që të gjithë banues në qytetin e Lezhës.
Aksioni i koduar “Gjahtari i Kredive”, që ka bërë të mundur ndalimin e këtyre shtetasve, është finalizuar rreth orës 22:00 të së hënës. Burime zyrtare të policisë kanë deklaruar se tashmë është zbardhur dhe skema e mashtrimit.
Haxhi Haxhia, administrator i firmës “Ulqini sh.p.k.”, u ka lëshuar vërtetime punësimi 10 personave për t’i paraqitur në bankë, por këta persona kanë rezultuar të paregjistruar në zyrën e punës, si dhe në zyrën e sigurimeve shoqërore në Lezhë. Sipas hetimeve, përmes këtyre dokumenteve ata kanë mundur të marrin 10 milionë lekë kredi për të ndërtuar një godinë katërkatëshe në qytetin e Lezhës. Kredia ishte marrë që në vitin 2007, ndërkohë që për 3 vjet nuk është derdhur asnjë këst në degën e bankës “Raifeissen” të Lezhës.
Burime të sigurta nga grupi i hetimit shprehen se kishte një muaj që Drejtoria e Policisë së Lezhës kishte nisur hetimet pas ankesës së bërë nga dega e bankës. Migena Shema, me detyrën e oficeres së kredive, është ndaluar për “shpërdorim detyre”, pasi ka dhënë kredi konsumatore me anë të dokumenteve të falsifikuara, si dhe u ka dhënë kredi personave pa qenë prezentë familjarët e tyre në momentin e tërheqjes së kredisë.
Ndërsa Haxhi Haxhia, administrator i firmës “Ulqini sh.p.k.”, që merret me tregtinë e armëve të gjahut, Martin Gjokhilaj dhe Nikollë Ndoj, janë arrestuar për veprat penale “Mashtrim me kredi” e “Falsifikim të dokumenteve”, vepra këto të kryera në bashkëpunim.
#