E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduken dy vajza dhe një burrë, policia nis kërkimet

Durrës Dy 25-vjeçare kanë humbur kontaktet me familjet në të njëjtën ditë

Dy nëna denoncojnë në polici humbjen e vajzave të tyre, ndërsa një e tretë deklaron largimin nga shtëpia e kushëririt të saj. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim dy 25-vjeçaret, si dhe 58-vjeçarin. Burimet policore thanë se një grua 45 vjeçe, banore e zonës së plazhit, ka bërë kallëzim penal në polici, pasi e bija, 25 vjeçe, e martuar në Skrapar, ka ndërprerë komunikimin me familjarët e saj që nga data 26 shkurt. E reja M.Q., kishte ardhur në Durrës për të kaluar pak ditë në shtëpinë e prindërve, por më pas është zhdukur pa gjurmë dhe e ëma H.Xh., ka kërkuar ndihmën e policisë për të gjetur të bijën. Një tjetër nënë, 48-vjeçarja E.M., nga Lagjja 11 e Durrësit, u është drejtuar bluve të qytetit për ndihmë përmes denoncimit të humbjes së të bijës 25-vjeçare M.M. Vajza beqare është larguar në të njëjtën ditë, më 26 shkurt, nga shtëpia dhe që nga ai moment nuk ka kontaktuar më me familjarët e saj. Policia po punon për gjetjen e dy 25-vjeçareve durrsake, ndërsa prokuroria e rrethit ka nisur hetimet për të zbardhur më tej këto dy ngjarje të veçuara që i bashkon mosha, dita e largimit dhe fati misterioz. Ndërkaq, një tjetër grua ka bërë kallëzim në polici, pasi ka konstatuar mungesën në banesë të kushëririt të vet 58-vjeçar, i cili jetonte i vetmuar në një apartament në Lagjen 3 të qytetit bregdetar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›