E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitjet trondisin Tiranën, arrestohen adoleshentët grabitës

Autori i Lajmit: red.
Kriza ekonomike po e thellon gjithnjë e më shumë fenomenin e grabitjeve në vendin tonë. Çdo ditë policia ka evidentuar me dhjetëra vjedhje si dhe ka arrestuar disa persona si të dyshuar.
Specialistët e seksionit Kundër Vjedhjeve ndaj Biznesit, në sajë të një pune intensive hetimore, kanë bërë identifikimin e autorëve dhe dokumentimin ligjor të një sërë vjedhjesh të realizuara prej tyre. Kështu, në vijim të informacionit të dhënë më datë 21 mars 2009, që bën fjalë për vjedhjen e supermarketit “Igea”, në rrugën “Ymer Kurti”, ku janë marrë një sasi e konsiderueshme paketash cigare dhe produkte mishi, dje nga puna hetimore e bërë, rezulton se autor është shtetasi F.D, 15 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për vjedhje, ndërsa po punohet për kapjen e tij. Materialet do t i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i KP. Mbrëmjen e së martës po nga ky seksion, u krye arrestimi i shtetasit E.H, 15 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, aktualisht me masë sigurie “Arrest shtëpie” dhënë nga Gjykata e Rrethit Tiranë. Arrestimi i tij u bë sepse ndaj tij është depozituar një kallëzim, ku është deklaruar se shtetasi i mësipërm i ka vjedhur farmacinë në pronësi të një shtetaseje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një levë (me të cilën ka hapur qepenin) dhe një palë atlete. U kryen veprimet procedurale, materialet do t i kalojnë Prokurorisë, për veprat penale të “vjedhjes”, “pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, parashikuar nga nenet 134, 320 dhe 321 të Kodit Penal. Ndërkaq, për një vjedhje bërë më 23 mars 2009, që bën fjalë për vjedhjen e dyqaneve ushqimore dhe veshmbathje, në Paskuqan, ku janë vjedhur një sasi e konsiderueshme mallrash, dje u realizua ekzekutimi i urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin Elson Xhelal Daci, 20 vjeç, banues në Bathore, i cili dyshohet se është autor i kësaj vjedhjeje. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një sasi mallrash të vjedhura, të cilat i mbante në dyqanin e tij, në Bathore. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes”.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›