E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta ime në tekste këngësh

Autori i Lajmit: Gerilina Kodheli
Nesti, apo Stine, siç e njohim më shumë tregon “sekretet” e suksesit dhe të albumit që do të dalë së shpejti. Këngëtari i mirënjohur i muzikës R&B tregon disa nga surprizat që do të lançojë së shpejti për publikun. Nën karakterin e tij sportiv, Stine tregon gjithashtu romancat, apo “love story” siç i quan ai dhe lidhjen e teksteve me jetën e tij dhe aventurat. Më në fund, këngëtari sqaron për herë të parë lidhjen
e shumë përfolur me Ronelën dhe marrëdhënien e tij krejtësisht profesionale me të.
Cili është aktiviteti aktual i Stines?
Përshëndetje! Jam duke punuar si fillim me albumin tim të ri. Me produksionet e Top-Festit dhe krijimet për këngëtarët e tjerë i mbylla për këtë vit. E kam mbyllur derën për këngëtarët e tjerë dhe po merrem vetëm me albumin tim të ri, sepse dua ta nxjerr në treg përpara se të vijë vera. Është një punë vërtet shumë e gjatë, shumë e lodhshme, sepse kam tre vjet që punoj për të. Shpresoj që të pritet mirë nga publiku, dhe kam besim se do të pritet mirë, pasi aty do të prezantoj një punë vërtet të mirë.
Do t ju shohim përpara lançimit të albumit me ndonjë këngë apo videoklip të ri?
Po. Përpara se të dalë albumi kam dëshirë që të lançoj një videoklip, ndoshta edhe dy. Gjithashtu, mendoj se kur të dalë albumi do të nxjerr një videoklip tjetër. Kam menduar që t i prezantoj këngët me videoklipe.
Na tregoni pak për këngën tuaj të fundit. Keni vjelë nga ajo suksesin që keni pretenduar?
Kënga e fundit është kënga “Vajzë ndaloje vrapin”, një bashkëpunim me Skills, e cila ka bërë vërtet një “bum” të madh, si këtu edhe në Kosovë, Maqedoni dhe diasporë. Nëpërmjet konfirmimeve që kam marrë nga kolegët, nga Skillsat dhe ka dhënë shumë fryte, veçanërisht në janar, i cili nuk është një muaj i përshtatshëm për të lançuar një hit. Në janar këngëtarët kanë shumë pak koncerte. Unë kam qenë gjithmonë në lëvizje dhe vazhdoj të jem ende në lëvizje. Po merrem gjithashtu edhe me koncertet e radhës.
Keni bërë bashkëpunime me këngëtarë të ndryshëm, dhe me stil shumë të ndryshëm nga ju, megjithatë jeni përshtatur në mënyrë të veçantë pa dalë nga stili juaj....
Mendoj se kjo është dhunti, është pjesë e talentit që kam. Por edhe si natyrë përshtatem me të gjithë, edhe në muzikë. Është elasticiteti i talentit tim, por mirë.. përshtatem. Në fakt edhe ky album, që do të lançoj së shpejti do të ketë shumë bashkëpunime me këngëtarë shumë cilësorë, të njohur shumë edhe me këngëtarë të panjohur, por të cilët kanë talente.
Na tregoni pak më hollësisht për albumin tuaj të ri. Çfarë bashkëpunimesh do të keni aty, këngëtarët që keni zgjedhur?
Kam dëshirë që ta lë surprizë, në mënyrë që edhe publiku të jetë pak kurioz dhe këto “sekrete” t i zbuloj kur të marrin dhe të blejnë albumin. Ta kuptojnë aty se cili këngëtar do të jetë dhe çfarë këngësh. Por ju them se do të ketë bashkëpunime të veçanta dhe shumë të bukura.
Do të shohim përsëri Stinen që jemi mësuar, këngëtarin e muzikës R&B apo do të ketë ndonjë ndryshim në këtë album?
Jo. Albumi nuk do të ketë vetëm këngë R&B, do të jetë shumë eksperimental. Do të ketë këngë edhe të shumë profileve të tjera, jo vetëm R&B ka edhe zhanre të tjerë. Mendoj se do të pritet shumë mirë.
Këngëtar, kompozitor, tekst shkrues, koreograf e njëkohësisht balerin. Si e ndieni veten në këto “gjini” të artit?
Një darkë ku mund të provosh shumë gjëra do të shijonte shumë. Kështu edhe unë, tek të gjitha këto gjini e ndiej veten mirë. Bëj pak nga të gjitha, domethënë në këngë e ndiej veten mirë, në kompozim, në shkrimin e teksteve, në kërcim gjithashtu e ndiej veten mirë. Unë kam shumë kohë që kërcej. Secila nga këto gjini ka rëndësinë e vet dhe pjesën e vet dhe të gjitha këto bashkë bëjnë Nestin. Të gjitha këto bashkë më përmbledhin mua në një.
Nga e gjeni frymëzimin për tekstet, për kompozimet, për të gjitha?
Nga jeta e përditshme, nga jeta që unë bëj. Jeta ime është shumë e larmishme kështu që unë frymëzohem edhe nga një fjalë e mirë apo edhe nga një fjalë e keqe. Të gjitha këto, edhe ndjenjat e mira edhe të këqija unë di t i nxjerr në mënyrën time, në tekstet dhe në kompozime.
Ju kemi parë që jeni shumë elokuent si natyrë dhe orator në mund t ju quaj. Në disa debate televizive keni arritur t i merrni fjalën edhe drejtuesit të një emisioni. Keni menduar ndonjëherë të merreni me botën e spektakleve apo me televizionin?
Nuk jam tunduar nga një gjë e tillë. Nuk më tundon, sepse do të ishte shumë e tepërt. Nuk e gjej kohën për diçka të tillë, sepse unë kur dua që të bëj diçka dua të jem 100 % i dedikuar asaj gjëje që dua të bëj. Televizioni do kohën e vet, përkushtimin e vet. Në fakt, ndoshta, do të kisha dëshirë që të bëja një festival timin vetëm për Hip-Hop dhe R&B, ku të gjithë ata që i pëlqejnë këto rryma do ta gjenin veten aty. E di që do të vlerësohej shumë, sepse e kuptoj mirë si rrymë dhe artin. Do të kisha dëshirë që të lançoheshin aty dhe t u jepja suport artistëve të rinj, sepse edhe unë dikur kam qenë një artist i ri. Në fakt ka disa të rinj, të cilët kanë shumë talent dhe ne nuk i njohim fare. Do të më pëlqente që të kishin mundësi të shfaqeshin diku dhe t u jepej një shans në botën e artit ashtu siç dola edhe unë në Top-Fest 1.
Ky festival është një ndër projektet tuaja të afërta?
Jo të afërta jo, por unë kam shumë dëshirë të bëj diçka të tillë. Është si një ëndërr në sirtar. Ëndrrat e mia deri më tani kam arritur që t i bëj realitet.
Stine, jeni një ndër këngëtarët e paktë shqiptarë që janë kaq shumë aktivë në Kosovë në koncerte të ndryshme, në festivale...
Jam vërtet shumë prezent në Kosovë, pasi atje pëlqehet shumë rryma R&B. Kjo rrymë atje është “Top on the Top” dhe për këtë unë respektohem atje. Respektohem jo vetëm se bëj R&B, por sepse e bëj mirë R&B. Jam i vetmi që e bëj të pastër këtë rrymë dhe jo komerciale. Ky është motivi që ndoshta unë jam i pëlqyer atje, jam i kërkuar nga artistët e Kosovës dhe kam gjithmonë oferta për bashkëpunime, nga këngëtari më i madh atje, e deri tek më të rinjtë. Por unë përpiqem të jem i kujdesshëm në bashkëpunime, sepse nuk dua që të shfrytëzoj emrin e askujt. E kam si parim, që në momentin që bëj një bashkëpunim, kujdesem që bashkëpunëtori të marrë emrin tim dhe as unë emrin e dikujt tjetër. Dua që bashkëpunimi të gjejë një përshtatje. Nëse nuk përshtatem me një këngëtar, bashkëpunimi nuk do të pëlqehej.
Si është jeta e Stines e ndarë nga muzika apo një ditë juaja?
Dita ime fillon me muzikë dhe mbaron me muzikë. Normalisht që bëj një jetë normale, janë ato peripecitë e ditës. Unë ngrihem në mëngjes, hyj në studio ku nis të punoj edhe diçka, pi një kafe me shokët më vonë, shkoj në palestër, stërvitem pak e kështu... Nuk di çfarë të them për veten time, nuk di ta përshkruaj Nestin.
Jeni fituesi i edicionit të parë të Top-Festit. Si e shikoni pesë vjet më pas, lidhur me artistët e rinj dhe këngët e reja që prezantohen aty?
Normalisht që për çdo vit ka talente të reja dhe gjithmonë do të ketë talente të reja. Thjesht duhet të jetë kombinimi, që këto festivale dhe këto evenimente të arrijnë t i fiksojnë edhe t i kapin këta artistë të rinj dhe të mos zhduken aty ku fillojnë dhe aty të zhduken. Thjesht t u japin pak shtysë që të vazhdojnë më përpara, sepse artistët e rinj nga pamundësia për të gjetur një formë shfaqjeje, kanë si të vetmen mundësi këto festivalet si Top-Fest-i e të tjerë. Një këngëtar i ri nuk ka mundësi të bëjë një videoklip dhe kështu ka shumë rëndësi që këto festivale t u japin suport artistëve. Këto lloj evenimentesh duhet të jenë të kujdesshme që t i kapin këto talente, t i ngrenë, t u japin kurajo dhe jo t i hedhin apo braktisin.
Flas për Top-Fest, sepse është i vetmi festival ku pjesëmarrësit janë kryesisht artistë të rinj....
Unë jam bërë i njohur falë Top-Festit, edhe falë talentit natyrisht, por aty kam gjetur vlerësimin. Nëse nuk do të kisha talent nuk do ta kisha marrë këtë vlerësim, sepse aty vlerëson publiku. Në gjithë karrierën time unë kam një videoklip, të cilin e kam bërë tani dhe dy të tjerë, të cilët janë bërë përpara se unë të bëhesha i njohur. Unë jam shumë i varfër nga videoklipet, por jam shumë i pasur nga produksionet dhe këngët që kam bërë për Top-Fest.
Pse i varfër në videoklipe. Pse keni zgjedhur të bëni pak të tillë?
Kjo është bërë me qëllim, që unë të mos konsumohesha shpejt. Brenda pesë viteve karrierë unë nuk jam konsumuar dhe kam çfarë të jap edhe tani për publikun. Nëse nesër unë do të bëj një lançim për veten time do ta bëj nëpërmjet videoklipeve. Kam çfarë t i jap publikut dhe nuk jam konsumuar. Nuk është se kam bërë dy videoklipe në muaj dhe njerëzit e kanë parë çfarë di të bëj unë edhe nuk shohin ndonjë gjë interesante nga unë. Gjithë sekreti i artistit është të marrë emër dhe të mos konsumohet, sepse konsumimi në Shqipëri është shumë i shpejtë.
Jeni një djalë shumë i pëlqyer nga femrat dhe mund të them se vajzat ju ndjekin pas. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Jo nuk do ta quaja kështu, sepse këngët që unë bëj janë “love story” dhe vajzat janë ato që e përjetojnë më shumë dashurinë, edhe meshkujt, por femrat e ndiejnë më shumë. Femrat janë ato që e ndjekin muzikën time dhe e pëlqejnë atë që unë bëj.
Jeni një krijues. Shkruani tekste dhe kompozoni gjithashtu. Ndonjë nga këto tekste apo këngë ka të bëjë realisht me diçka tuajën personale apo me ndonjë histori dashurie të përjetuar nga ju?
Normalisht që ka. Unë e thashë edhe më parë që frymëzimin e gjej në jetën time të përditshme, nga aventurat që kam, nga aventurat që përjetoj. Sepse edhe historitë e dashurisë aventura janë tek e fundit. Normal që njerëzit e kuptojnë. Kush më njeh nga afër arrin t i bëjë lidhjet. Por gjithmonë këngët ua kushtoj atyre historive që vërtet e meritojnë t ua kushtoj jo atyre që janë false, ato nuk më frymëzojnë fare.
Stine, jeni përfolur shpesh në ambiente apo edhe në media për një lidhje tuajën me Ronelën, një nga vajzat që kanë marrë pjesë tek “Star Akademy”. Sa e vërtetë është kjo?
Ky është i pari rast që më jepet mundësia të flas për këtë dhe të jap opinionin tim. Gazetat kanë folur shumë dhe ia kanë futur kot. Unë Ronelën e kam kolege ashtu siç kam shumë kolegë të tjerë. Bëj një këngë, e ndihmoj sa kam mundësi duke bërë më të mirën timen dhe kaq. Nëse unë pas një pune të lodhshme në studio do të shkoja të pija një kafe me Ronelën, ashtu si do ta pija me Anjezën apo me Besën e të tjerë, nuk mund t i kem të gjitha të dashura. Unë me Ronelën nuk kam asgjë, thjesht e kam një kolege shumë të mirë është në menaxhimin e studios sime kështu që kaq...
Stine, ke ndonjë pasion të fshehtë jashtë muzikës?
Po. Kam. Jam shumë i apasionuar pas makinave. Pas makinave të shpejta, kuptohet. Ky është një pasion që ndoshta njerëzit nuk e dinë dhe kam shumë dëshirë të marr pjesë në garat e makinave që bëhen këtu. Gara e fundit u bë në Lezhë, por mendoj se vitin që vjen do të jem edhe unë pjesë e këtyre garave.
Cili do të jetë koncerti i radhës ku do të merrni pjesë?
Koncertet e radhës janë shumë, por më i afërti është tek “Trendy”, një klub dhe një tjetër koncert që do të jetë në shesh i organizuar nga Bashkia Tiranë. Do të jenë shumë artistë të njohur aty.
Këndoni në evenimente playback, por edhe “live” në ndonjë klub. Cilat janë emocionet?
Normal që të këndosh “live” ka emocione shumë të mëdha, shumë të bukura dhe shumë të papame, sepse përveç publikut që arrin t i mbash gjatë gjithë kohës të karikuar, por edhe vetë kënaqesh, sepse shprehesh më shumë, nxjerr të gjitha ato ndjesi, gjithë atë mllef që ke pasur gjatë gjithë ditës nëse të ka ndodhur diçka qoftë e keqe, qoftë e bukur, e nxjerr të gjithin aty. E çuditshme është sepse edhe njerëzit reagojnë shumë shumë më bukur, shumë më ndryshe kur je “live” arrin të komunikosh më mirë me ta, je më afër me ta, por gjithmonë kënga “live” nuk varet vetëm nga këngëtari, por edhe nga kushtet ku do të këndosh, nga fonia, akustika e nga shumë komponentë të tjerë. Duhet të jetë çdo gjë perfekte që ai koncert të dalë aq bukur sa mendohet.
Këndoni shpesh “live” nëpër klube?
Jo, unë nuk këndoj konstant në një lokal. Unë thjesht jam i ftuar special në të gjitha lokalet që shkoj. Thjesht bëj një vizitë nëpër lokale, kënaq ata klientët e lokaleve përkatës dhe kaq. Nuk këndoj konstant, nuk më pëlqen kjo lloj loje.
Ky lajm është publikuar: 02/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›